Këta janë personat që u kapën me drogë në Vërmicë

Mbrëmë rreth orës 22:50 në pikën kufitare në Vërmicë, Policia e Kosovës së bashku me zyrtarët e doganës, kanë arrestuar dy persona, pasi në veturën e tyre u gjet një sasi e narkotikëve e llojit marihuanë.

Burimet e Sinjalit kanë njoftuar se të arrestuarit janë K. D. dhe L. D.

Domi dhe Duraku u arrestuan pasi, gjatë kontrollit, në veturë iu gjet marihuana e fshehur në pjesën e pasme të veturës dhe e kishin mbështjellur me folje.

Si rezultat i kësaj, pas kryerjes së kontrollit dhe verifikimit të personave që ishin në veturë janë arrestuar shoferi dhe pasagjeri, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar të narkotikëve apo substancave psikotrope dhe analoge”, e sanksionuar sipas nenit 267 të KPK-së.

Me urdhër të prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore në Prizren, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe pritet që së shpejti të dërgohen para gjyqtarit të procedurës paraprake për të urdhëruar edhe masën e paraburgimit.

Burimet e Sinjalit njoftojnë se përveç arrestimit të personave të dyshuar, në cilësi të provave policia ka sekuestruar: Substancë të dyshuar narkotike të llojit maruhuanë me peshë rreth 41.4 gramë, një automjet e tipit “Audi” si dhe dy telefona të llojit Iphone Pro Max.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/

Kategoritë
LajmeVendi