Këta janë pesë policët të cilët e bënë për spital qytetarin i cili nuk respektoi semaforin

Betim Hasi, Edison Kelmendi, Ardian Lukaj, Euron Kabashi, Erik Gashi janë pesë zyrtarët e Policisë së Kosovës nga Gjakova të cilëve sot Prokuroria Themelore u ka ngritur aktakuzë. Të njëjtit, me 4 shkurt të këtij viti bënë për spital qytetarin, B.B vetëm pse ishte futur në të kuqën.

Siç përshkruhet në aktakuzë, në ditën kritike viktima B.B pasi nuk respektoi sinjalizuesin e semaforit zyrtarët policorë i vihen pas, për ta sulmuar fizikisht. Pasi del nga vetura goditet me shqelma e boksa, shkruan Insajderi.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër pesë policëve me inicialet B.H., E.K., A.L., E.K., dhe E.G., për shkak të veprave penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike në bashkëkryerje”, si dhe, “Lëndim i rëndë trupor në bashkëkryerje”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sipas aktakuzës, më 04 shkurt 2021, në Gjakovë, të pandehurit B.H., E.K., A.L., E.K., dhe E.G., duke vepruar në bashkëkryerje, në cilësinë e zyrtarëve policorë, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, keqpërdorin autorizimet e tyre duke keqtrajtuar, frikësuar e fyer rëndë, personin tjetër, të dëmtuarin B.B.

“Ditën kritike, pasi të pandehurit e vërejnë se i dëmtuari nuk i përmbahet sinjalizuesit të semaforit, të njëjtit i vihen pas me veturën e tyre zyrtare, ku i dëmtuari së pari nuk ndalet por pas një kohe ndalon, del nga vetura duke iu kërkuar falje zyrtareve policore dhe iu thotë se është i sëmure. Njëri zyrtar policorë menjëherë e godet me grusht në kokë duke e rrezuar në tokë, dhe më pas te gjithë bashke e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me grushte e shqelma në kokë e pjesë te ndryshme të trupit”, njofton prokuroria.

Me këto veprime, prokuroria thotë se policët kanë kryer veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike në bashkëkryerje”, nga neni 195 paragraf 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

“Gjithashtu, me datë, kohë e vend të njëjtë, të pandehurit B.H., E.K., A.L., E.K., dhe E.G., duke vepruar në bashkëkryerje, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, me dashje i shkaktojnë lëndim të rëndë trupor, të dëmtuarit B.B., duke e goditur së pari në kokë, ku pas rrëzimit në tokë e kanë goditur me grushte e shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ndrydhje të indeve të buta të kraharorit, thyerje të brinjëve, gjakderdhje nen lëkurorë në regjionin e veshit e të nofullës, e dëmtime të tjera të përshkruara në ekspertizën mjeko ligjore të grupit të ekspertëve”, njofton tutje prokuroria.

Me këto veprime kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor në bashkëkryerje”, nga neni 186 paragrafi 1, nen paragrafi 1.3., lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që të pandehurit të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

Kategoritë
LajmeVendi