Kievi: Ushtria ruse ka humbur 24.700 trupa, 196 avionë, 155 helikopterë dhe 1.092 tanke

Autoritetet ushtarake ukrainase raportuan se ushtria ruse, e cila i shpalli luftë Ukrainës më 24 shkurt (2022), ka humbur rreth 24.700 trupa, 196 avionë, 155 helikopterë dhe 1.092 tanke.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës bëri deklarata në lidhje me humbjet e ushtrisë ruse nga 24 shkurti deri më 5 maj duke theksuar se njësitë ruse, që po luftojnë aktualisht në territoret ukrainase, kanë humbur edhe 200 trupa të tjerë në 24 orët e fundit.

“Gati 24.700 ushtarë të njësive ruse që sulmuan Ukrainën, u vranë. Në të njëjtën kohë u shkatërruan 196 avionë, 155 helikopterë, 1.092 tanke, 2.651 mjete të blinduara, 499 sisteme të artilerisë së rëndë, 169 sisteme raketahedhëse dhe 83 sisteme të mbrojtjes ajrore të rusëve”, bëri të ditur Shtatmadhoria ukrainase duke shtuar se forcat ruse humbën gjithashtu 1.907 automjete, 10 anije e skafe të lehta, si dhe 312 mjete ajrore pa pilotë.

Sipas zyrtarëve ushtarakë ukrainas, sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore kanë interceptuar dhe asgjësuar gjithashtu 89 raketa lundrimi të lëshuara nga rusët.

Më 25 mars, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë pati njoftuar për herë të fundit se në Ukrainë kanë vdekur 1.351 ushtarë rusë.

Kategoritë
BotaLajme