Kina thirrje për përmirësim të marrëdhënieve me BE-në

Pekini shpreson të ketë më shumë komunikim me palën evropiane për t’i zgjidhur dallimet, tha kryediplomati kinez

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi i kërkoi Bashkimit Evropian (BE) të përmirësojë marrëdhëniet me vendin e tij, në vazhdën e kritikave të mëdha nga Evropa mbi regjistrin negativ të Pekinit sa u përket të drejtave të njeriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një tryezë diskutimi të organizuar nëpërmjet internetit nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, Wang tha: “Unë ende kam besim në marrëdhëniet tona. Besoj se do të jemi në gjendje të kapërcejmë vështirësitë e përkohshme përmes dialogut dhe komunikimit”.

“Ne shpresojmë të kemi më shumë komunikim me palën evropiane për t’i zgjidhur këto dallime”, shtoi kryediplomati i Kinës.

Wang theksoi se BE-ja është “partner strategjik” dhe jo rival.

Në mars, BE-ja vendosi sanksionet e saj të para të mëdha kundër zyrtarëve kinezë që nga viti 1989 për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në rajonin Xinjiang të Kinës.

Wang paralajmëroi kundër përpjekjeve të Perëndimit “për ta politizuar situatën” në atë rajon.

“Çështja e Xinjiang-ut nuk ka të bëjë me demokracinë, të drejtat e njeriut ose fenë. Aspak. Që nga dita e parë, është një çështje kundër terrorizmit”, tha ai.

Kina mohon me këmbëngulje akuzat për shtypje kundër popullatës ujgure në Xinjiang, ndër të tjera, duke i vendosur pjesëtarët e këtij komuniteti në të ashtuquajturat “qendra të riedukimit”, që janë krahasuar me kampe burgu.

BE-ja gjithashtu ka kritikuar vazhdimisht Pekinin për shtypje ndaj lëvizjes prodemokratike në Hong Kong.

Kategoritë
BotaLajme