Kirurgu: Spinazzola kthehet brenda gjashtë muajsh

Kirurgu, i cili e ka operuar Leonardo Spinazzolan, ka thënë se mbrojtësi italian mund të kthehet brenda gjashtë muajsh, ndërsa e ka lëvduar futbollistin për “forcën e brendshme”.

Ylli i Romës udhëtoi drejt Finlandës për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike pas rupturës në tetivën e Akilit, si pasojë e një lëndimi të pësuar në ndeshjen ndërmjet Italisë dhe Belgjikës në ‘Euro 2020’.

Azzurrët janë kualifikuar në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian, ku duhet të luajnë pa mbrojtësin e krahut, të cilin po ashtu edhe trajneri i ri i Giallorossëve, Jose Mourinho, nuk do ta ketë në dispozicion në gjashtë muajt e ardhshëm.

“Leonardo ka një forcë të madhe të brendshme. Megjithëse, zemërimi pasi u desh ta ndërpriste aventurën e shkëlqyer evropiane sigurisht që nuk zhduket”.

“Por, unë menjëherë e pash guximin dhe fokusimin e tij në rehabilitim. Nëse gjithçka shkon mirë, do të mund të kthehet në stërvitje me bashkëlojtarët brenda gjashtë muajsh. Mirëpo, është akoma herët të thuhet”.

“Unë jam shumë optimist për rikuperimin e plotë të lojtarit. Shumëçka varet nga rehabilitimi i tij, por jam i bindur se do të kthehet për të qenë lojtari i shkëlqyer që u la përshtypje të gjithëve në Kampionatin Evropian”, ka deklaruar kirurgu Lesse Lempainen për La Gazzetta dello Sport.

Kategoritë
LajmeSport