Kodra flet për grevën e paralajmëruar nga mjekët, thotë se po kërkojnë paga kur s’ka cilësi të shërbimeve

Udhëheqësi i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), Besim Kodra, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka thënë sot se nga zyra ligjore e kryeministrit Albin Kurti i kanë thënë se grevat në sektorin e shëndetësisë nuk janë të ligjshme.

Kodra në një lidhje direkte në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin ka thënë se deri tani edhe pse ka pasur rritje të pagave të punëtorëve shëndetësorë, nuk ka pasur rritje të cilësisë.

Sipas tij, në shëndetësi duhet të ketë reformë, në mënyrë që mjekët të paguhen në bazë të performancës së punës.

“Ajo që neve na ndanë me stafin shëndetësorë është se ata kërkojnë rritje të pagës, ne kërkojmë rritje të cilësisë. Në qoftëse paga është ajo që e pengon cilësinë në shërbimin shëndetësorë, patjetër që duhet të rriten pagat. Por deri më tani sado që ka pas rritje, rritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësorë nuk kanë ndodhur asnjëherë. Andaj konsideroj që duhet të bëhet një reformë dhe mjekët të paguhen në bazë të performancës të punës, jo në bazë të asaj pse janë mjekë”, ka deklaruar ai.

Përndryshe, Kodra ka thënë se institucionet e drejtësisë duhet të merren me grevat e paralajmëruara nga punëtorët shëndetësorë, nëse ato janë ligjore apo jo.

“Ne kemi dërguar një pyetje te Qeveria e Kosovës se a konsiderohen legjitime grevat në sektorin e shëndetësisë për faktin se kemi një vendim i cili është aktiv për shpalljen e gjendjes emergjente të shëndetit publik. Në qeveri, zyra ligjore e kryeministrit na ka treguar se vendimi është ende aktiv edhe se këto veprime sindikale konsiderohen të paligjshme për faktin se në epidemi është e ndalume mbajtja e grevës, e në pandemi që është diçka shumë shumë më e madhe se një epidemi, gjithsesi duhet të jetë e ndaluar. Për tu bindur që kjo është diçka e vërtetë unë mendoj se institucionet e drejtësisë duhet të merren me këtë çështje për të konstatuar me të vërtetë nëse kemi të bëjmë me shkelje apo jo”, ka theksuar ai.

Kodra ka thënë se organizimi i grevave tregon që qeveria dhe stafi shëndetësor nuk kanë arritur të merren vesh.

“Për mua është diçka e pakuptimtë që me ardh puna deri te një grevë. Kjo tregon se janë thyer disa barriera të tjera që kanë qenë dialogu social, mandej gjëra të tjera që i paraprijnë grevës, do të thotë që qeveria dhe stafi shëndetësor nuk kanë arrit me u marrë vesh dhe mandej ndodh greva”, ka shtuar ai.

Kategoritë
LajmeVendi