Kolonët hebrenj presin 600 pemë ulliri të palestinezëve

Kolonët hebrenj që banojnë në territoret e pushtuara palestineze shpesh presin ose u vënë zjarrin pemëve të ullirit, që janë burimi kryesor i të ardhurave për fermerët palestinezë në Bregun Perëndimor

Kolonët hebrenj kanë prerë 600 pemë ulliri që u përkisnin palestinezëve në një zonë rurale pranë qytetit të Nablusit, në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gassan Daglas, kreu i Dosjes së Vendbanimeve Kolone Hebraike në veri të Bregut Perëndimor pranë Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), deklaroi se kolonët hebrenj dëmtuan pemët e ullirit në fshatin Deir Sharaf në afërsi të Nablusit.

Daglas tha se kolonët hebrenj janë banorë të vendbanimit Shavei Shomron afër fshatit dhe se ata prenë 600 pemë ulliri.

Kolonët hebrenj që banojnë në territoret e pushtuara palestineze shpesh presin ose u vënë zjarrin pemëve të ullirit, që janë burimi kryesor i të ardhurave për fermerët palestinezë në Bregun Perëndimor.

Përveç kësaj, kolonët hebrenj herë pas here sulmojnë fermerët palestinezë, veçanërisht gjatë sezonit të vjeljes.

Sipas burimeve lokale, më shumë se 9.000 pemë ulliri janë shkatërruar në Bregun Perëndimor që nga gushti i vitit 2020.

Ekzistojnë më shumë se 250 vendbanime të paligjshme hebreje në Bregun Perëndimor, të cilin Izraeli e pushtoi në vitin 1967. Gati 450.000 kolonë hebrenj që jetojnë në këto vende e bëjnë jetën edhe më të vështirë për palestinezët që jetojnë nën okupim në Bregun Perëndimor.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebraike në territorin e pushtuar konsiderohen të paligjshme.

Kategoritë
BotaLajme