Komisioni Evropian rekomandon lehtësimin e udhëtimeve brenda bllokut evropian

Sipas udhëzimeve, personat plotësisht të vaksinuar mund të udhëtojnë në një vend tjetër të BE-së pa ndonjë kufizim të mëtejshëm, të paktën 14 ditë pasi të kenë marrë dozën e dytë të vaksinës së miratuar nga EMA

Komisioni Evropian u ka kërkuar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të koordinohen dhe nga mesi i muajit qershor të heqin kufizimet e udhëtimit për qytetarët e tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).

Udhëzimet e propozuara nga organi ekzekutiv i BE-së synojnë të lehtësojnë udhëtimet midis vendeve të BE-së para se të hyjë në fuqi më 1 korrik rregullorja e re e bllokut për certifikatat COVID-19.

Nëse qeveritë e BE-së miratojnë rekomandimet, rregullat e reja, të cilat mundësojnë udhëtim e lirë për personat plotësisht të vaksinuar ose të shëruar, mund të zbatohen që nga mesi i muajit qershor.

Sipas udhëzimeve, personat plotësisht të vaksinuar mund të udhëtojnë në një vend tjetër të BE-së pa ndonjë kufizim të mëtejshëm, të paktën 14 ditë pasi të kenë marrë dozën e dytë të vaksinës së miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

Ata që janë shëruar nga COVID-19 po ashtu mund të udhëtojnë në BE pa ndonjë test për virusin ose detyrim për karantinë.

Oër ato që nuk kanë marrë vaksinën COVID-19 apo nuk kanë qenë të infektuar më parë nga virusi, Komisioni Evropian këshilloi që t’u kërkohet një test PCR jo më të vjetër se 72 orë apo test të shpejt të antigjenit jo më të vjetër se 48 orë.

Organi ekzekutiv i BE-së po ashtu u rekomandoi vendeve të BE-së të mos kërkojnë teste PCR nga fëmijët nën moshën 6-vjeçare.

Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian u kërkoi vendeve anëtare, të cilat tashmë janë përgatitur, të përdorin sistemin e BE-së të certifikatave COVID-19, në mënyrë që të sigurojnë tranzicionin e qetë.

Kategoritë
BotaLajme