Komisioni hetimor i kërkon Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e presidentit Meta

Duke shpalosur përfundimet e raportit, kryetari i këtij komisioni, deputeti Alket Hyseni, tha se komisioni i kërkon Kuvendit miratimin e raportit dhe shkarkimin nga detyra të presidentit, sipas tij, për shkelje të rënda të Kushtetutës

Komisioni hetimor “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta”, në mbledhjen e ditës së sotme ka miratuar raportin përfundimtar që do t’i dërgohet Kuvendit të Shqipërisë për votim, duke kërkuar shkarkimin nga detyra të presidentit Meta, raporton Anadolu Agency(AA).

Kryetari i këtij komisioni, deputeti Alket Hyseni, prezantoi raportin me gjetjet e hetimeve dhe në fund të mbledhjes, anëtarët e komisionit votuan pro raportit në fjalë, i cili do të votohet në një nga seancat parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë në ditët në vazhdim.

Hyseni theksoi se veprimet e presidentit Meta “ia kanë humbur atributet e kreut të shtetit dhe përfaqësuesit të unitetit të popullit”.

“Cilësia si kreu i shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit të kombëtar janë dy rolet më thelbësore që Kushtetuta i ka veshur presidentit dhe humbja e këtyre roleve për të gjitha arsyet që jepen në këtë raport nuk mund të lejojnë vazhdimin e presidentit në këtë detyrë. Presidenti ka kryer shkelje të Kushtetutës në mënyrë të përsëritur”, tha Hyseni.

Hyseni theksoi më tej se presidenti Meta ishte i pozicionuar kundër shumicës parlamentare.

“Ai kishte kërkuar publikisht ndryshimin e qeverisjes me referendum. Presidenti si kreu i shtetit duhet të kryejë detyrimin e tij për të zbatuar Kushtetutën duke ndjekur mjete ligjore”, shtoi ai.

Duke shpalosur përfundimet e raportit, Hyseni tha se komisioni i kërkon Kuvendit miratimin e raportit dhe shkarkimin nga detyra të presidentit, sipas tij, për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Procedura parlamentare për shqyrtimin e kërkesës për shkarkim

Partia Socialiste e Shqipërisë inicioi në fund të prillit një kërkesë drejtuar Kuvendit për shkarkimin e presidentit të vendit, Ilir Meta, me argumentin se përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit “ka kryer veprime në kundërshtim me Kushtetutën”.

Në kërkesë thuhet se “Ilir Meta në detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ka humbur rolin e përfaqësuesit të unitetit kombëtar dhe moderatorin e konfliktit politik. Me mesazhet e tij drejtuar publikut në periudhën para dhe gjatë fushatës zgjedhore ka treguar se linja e tij politike është e qartë, kundër maxhorancës në pushtet dhe popullit që atë e mbështet”.

Pas përfundimit të punës nga komisioni hetimor parlamentar në fund të procedurës parlamentare do të bëhet votimi i raportit të komisionit në seancën e Kuvendit të Shqipërisë.

Propozimi për shkarkimin e presidentit duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Kuvendi i Shqipërisë sipas Kushtetutës ka 140 deputetë, ndërsa aktualisht ka 122.

Më pas, vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e presidentit të vendit, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Kjo është nisma e dytë që ndërmerr Partia Socialiste për shkarkimin e presidentit Meta. Në korrik të vitit 2020, Kuvendi nuk vendosi për shkarkimin e presidentit Meta, pas kërkesës së Partisë Socialiste, për kontrollin e ligjshmërisë për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet lokale të datës 30 qershor 2019 dhe veprimeve dhe procedurës të ndjekur në kuadër të emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Kujtojmë se Meta u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë më 28 prill 2017 në postin e presidentit të vendit për një mandat pesëvjeçar, ndërkohë mandati i tij sipas kushtetutës përfundon në korrik të vitit 2022.

Kategoritë
LajmeRajoni