Komshiç pas takimit me Escobar: SHBA-ja nuk pranon ndryshimin e kufijve të përcaktuara sipas Dejtonit

“Duke qenë se Shtetet e Bashkuara janë nënshkruese të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e tyre”, ka thënë kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljko Komshiç.

SHBA-ja mbështet idenë që Ballkani Perëndimor duhet të hyjë në procese më të thella integruese me Bashkimin Evropian (BE) sa më shpejt të jetë e mundur, tha kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljko Komshiç, pas takimit me Zëvendësnihmës Sekretarin e Shtetit dhe të Dërguarin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, raporton Anadolu Agency (AA).

Escobar ka mbërritur në Bosnjë dhe Hercegovinë të dielën, ndërsa sot do të takohet me anëtarët e presidencës së vendit, Shefik Xhaferoviç dhe Milorad Dodik.

“SHBA-ja nuk do të pranojë kurrfarë ndryshimi të kufijve që janë përcaktuar në Dejton. SHBA-ja konsideron se zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor është imperativ jo vetëm për ne, por edhe për BE-në. SHBA-ja beson që Ballkani Perëndimor sa më parë duhet të hyjë në procese më të thella integruese me BE-në, të cilat do të përfundojnë me integrimin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE”, ka shpjeguar Komshiç.

Sipas tij, për SHBA-në asgjë nuk do të jetë e pranueshme në lidhje me ndryshimet e Dejtonit.

“Duke pasur parasysh vlerësimet se këtu ka një kapacitet të madh për rritje ekonomike, që mund t’u sigurojë njerëzve në gjithë rajonin një jetë dukshëm më të mirë që kërkon stabilitet, ne prekëm edhe krimin dhe korrupsionin që po rrënon gjithë rajonin, përfshirë BeH-në“, theksoi Komshiç.

Ai beson se në këtë kontekst është e nevojshme që gjyqësori, konkretisht prokuroria, të bëjë punën e saj siç e kërkon ligji.

“Ne gjithmonë do të kemi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për këtë lloj qasjeje”, tha Komshiç.

Ai theksoi se nuk është folur për ligj zgjedhor.

“Mendoj se mesazhi inkurajues që tha zoti Escobar është se nuk do të ketë luftë. Ai gjithashtu tha në mënyrë eksplicite se gjithçka që ka të bëjë me Dejtonin, duke qenë se Shtetet e Bashkuara janë nënshkruese të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e tyre”, theksoi Komshiç.

Ai tha se ky ishte një mesazh i qartë për të.

“A ka mjaft budallenj në BeH dhe në rajon, të gjithë jemi të bindur se ka. Mesazhe të tilla duhen vlerësuar. Vetëm një i çmendur mund të shkojë përtej kësaj për të rrezikuar paqen pas çdogjëje që kemi kaluar”, tha Komshiç.

Ai beson se NATO dhe BE-ja, “pavarësisht nga zhgënjimet tona aktuale, nuk duhet të jenë bazë për të hequr dorë nga kjo”.

Ai shtoi se me Escobar nuk kanë diskutuar rreth sanksioneve.

Kategoritë
LajmeRajoni