Komuna e Dragashit, odë e burrave

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar një kuadër ligjor dhe institucional gjithëpërfshirës për nxitjen e barazisë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të grave. Por, mundësitë e ballafaqimit me fenomenin e diskriminimit në jetën publike janë më se evidente.

Qeverisja e përgjegjshme gjinore shihet më shumë si një formë qeverisjeje dhe një aspekt themelor i qeverisjes së mirë. Një qeverisje vendore, që është e përgjithshme gjinore, merr parasysh nevojat, interesat, përparësitë dhe shqetësimet e ndryshme të grave dhe burrave, vajzave dhe djemve si qytetarë.

Komuna e vogël e Dragashit, që shtrihet në jug të Kosovës, ende nuk e ka mundur të “hapë” zemrën për gratë. Asnjë femër në këtë komunë nuk është në krye të ndonjë institucioni, ani pse shkollimi i tyre pas luftës është rritur dukshëm, shkruan lajmi.net.

Thuajse që nga pas lufta, ku qeveriset më legjislacionin e Republikës së Kosovës, kjo komunë nuk ka pasur në ekzekutivin komunal asnjë femër. Të gjithë drejtorët e drejtorive të komunës kanë qenë dhe janë burra. Kryetarët, nënkryetarët, kreu i kuvendit e nënkryetari i Kuvendit janë burra. Kështu ka qenë prej që ekziston komuna e Dragashit.

“Edhe kur ka qeverisur më herët LDK-ja dhe në mandatet e PDK-së, femra në ekzekutivë nuk ka pasur as në vendimmarrje as hiç. Nuk e di për asmbilstët e kaluar, por ne këtë shumë edhe e kemi ngritur si problem”, tha për lajmi.net asamblistja e PDK-së në KK të Dragashit, Xhemile Misninaj.

Misninaj, e cila ka të përfunduar masterin në ekonomi, thotë se ky problemë më shumë ka të bëjë me mentalitetin shoqërorë të vendit të saj.

“ Siç thash, ne si grup i grave deputete e kemi adresuar disa herë këtë problem. Ky problem nuk është veç tash është që disa mandate në komunën tonë. Mendoj që kjo është çështje ka të bëjë me mentaliteti, se gjoja gratë nuk e kanë aftësinë sikur e kanë burrat. Ne gratë asamblistë që jemi aty, jemi me vota pa kuotë. Një problemë tjetër është se kur po vije koha tek formimi i qeverisë lokale këtu, po ka kushtëzime edhe nga komunitete jo shumicë, dhe kur po hyhet në koalicion më ta, atëherë ata kërkojnë edhe favoret e veta dhe mundësit po mbesin më të pakta”, shtoi tutje ajo.

Asamblistja tha se administrata nuk qëndron mirë më përfaqësimin e kuotës gjinore.

“Edhe në administratën komunale ka shumë pak gra të përfshira. Janë më pak se dhjetë. Ato janë të punësuara më shumë në arsim, por edhe në shëndetësi. Këto punësime kanë nisur të bëhen së fundmi, sepse më herët pothuajse të gjithë kanë qenë burra. Tek konkurset në administratën komunale e kanë më zor të depërtojnë”, shtoi tutje ajo.

Adelisa Krasniqi, një vajzë e re e cila është asambliste nga radhët e LDK-së në këtë komunë thotë, se gratë e Dragashit e kanë arsimimin e duhure. Sipas saj shumë nga to tashmë janë sistemuar jashtë komunës.

“Dragashi nuk është pa gra. Madje janë shumë t avancuara. E kanë nivelin e shkollimit të duhurin, por problem është të kryetaret gjithmonë. Në këtë e kemi ngritur si shqetësim edhe në grupin e grave. Përgjigja e kryetarit ka qenë që do të mundohem, do të mundohem”, tha ajo për lajmi.net.

Kryetari i komunës, është ai që bënë emërimin politik të ekzekutivit në një komunë, si dhe është shefi më i madhe administrativ në komunë. Shaban Shabani, kryetar i Dragashit është i vetëdijshëm se kjo është një dukuri diskriminuese e madhe, por fajin e hedhë dika tjetre, më shumë se tek vetja. Shpreson që një kryetar që vjen pas tij ta ndërrojë situatën.

“Unë do të kisha pasur dëshirë që të ketë edhe drejtoresha femra, pasi ka të tilla të zonja dhe të shkolluara mjaftueshëm, por propozimet kane ardhur kështu siç janë. Po i mbesim borxh, kësaj pune, ndoshta për mandatin tjetër, kushdo që të vije, besoj se do ta ndërrojë dhe duhet ta ndërrojë këtë gjendje. Për ndryshe, gra të zonjat ka, ka aso që e kryen punë me përgjegjësi e përkushtim”, tha Shabani për lajmi.net.

Ai tha se as në administratë nuk është kuota e dëshiruar e përfaqësimit gjinorë.

“Ato janë të orientuara zakonisht kah arsimi dhe shëndetësia. Në disa sektorë ka filluar të ndryshohet situata në atë drejtim, por prapë nuk është në nivelin çfarë duhet të jetë”, thotë kryetari.

Por, Dragashi pak më mirë qëndron në përfaqësimin e grave në asamblenë komunale, nga 27 këshilltarë komunal, aq sa janë gjithsejte, 7 janë gra.

Legjislacioni në fuqi kërkon gjithëpërfshirje gjinore në institucionet publike, ku nëpërmjet tij, garantohet, mbrohet dhe promovohet barazia midis gjinive, si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë.

Dragashi (Sharri), është i ngritur në kufi ndërmjet dy trojeve, të Opojës dhe Gorës. Të dy këto troje paraqesin dy etnitete me gjuhë  të ndryshme. Opoja etnikisht e pastër me shqiptarë e me gjuhën e tyre shqipe dhe Gora etnikisht e pastër vetëm me goranë, Boshnjak – myslimanë, me gjuhën e tyre specifike gorane, boshnjake. Kjo qytezë, është qendër Komunale, e cila shtrihet në jug të Prizrenit, në malet e Sharrit.

Kategoritë
LajmeVendi