Konflikti në Ukrainë vërtetoi rolin kyç të Turqisë dhe presidentit Erdogan për paqen në botë

 Shkruan: Semi MEHMETI

Fuqia e një vendi herë matet me forcëne e tij ushtarake, herë me atë ekonomike, herë industriale, me arritjet shkencore e kulturore.

Mirëpo historia tregon se një vend është gjithmonë i fuqishëm kur ka miq të shumtë në skenën ndërkombëtare. E kjo më së miri vjen në shprehje gjatë krizave të mëdha globale, siç është kriza e tanishme, e krijuar me konfliktin në Ukrainë. Janë kriza që kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë, për të parandaluar zgjerimin e tyre, e madje edhe eskalimin në nivel të Luftës botërore.
Në situata të tilla vijnë në shprehje shtete që krahas fuqisë ekonomike, ushtarake, industriale…, gëzojnë respekt në arenën ndërkombëtare.

Si një shtet i tillë, pa dyshim në këtë situatë u shqua Turqia. Kur gjithë bota mbeti e shtangur pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, kur paniku nga një luftë e mundshme bërthamore kaploi çdo cep të botës, Turqia ishte shteti i parë që bëri thirrje për negociata të menjëhershme. Ishte shteti i parë që vlerësoi se përkrahja e njërës ose palës tjetër nuk sjell asnjë rezultat pozitiv, por vetëm thellon pasojat e konfliktit, kurse si mjet të vetëm që kthen shpresën për paqe e potencoi vazhdimisht dialogun.

Në momentet e para të konfliktit kur dialogu Moskë-Kiev dukej i pamundshëm për një periudhë të pacaktuar, ishte presidenti turk Recep Tayip Erdogan burrështetasi që gëzonte autoritetin dhe respektin edhe te presidenti rus Vlladimir Putin edhe te ai ukrainas, Volodymir Zelensky, për të kërkuar nga të dyja palët të ulen në tavolinë. Turqia ishte vendi dhe Erdogan lideri kah i cili u kthyen shikimet e të gjithë atyre që kërkonin intervenim të shpejtë për të siguruar paqen.
Turqia ishte vendi i parë që hapi zemrën për t’i dhënë shansin kthimit të paqes, sado që takimet e para për shkaqe teknike u realizuan në Bjellorusi.

Falë një politike të mençur dhe proaktive në skenën ndërkombëtare, Turqia tani disa dekada është faktori kyç që ruan balancet në rajonin më të trazuar botëror, siç është Lindja e Mesme.

Mirëpo kriza në Ukrainë tregon se tani më Turqia është një faktor që kontribon në mënyrën më të drejtpërdrejtë për paqen në mbarë botën. Është një pozitë e ndërtuar me shumë durim dhe mençuri, sado që dashakqinjët shumë herë kanë shprehur jo vetëm dilema, por janë munduar edhe të nënçmojnë këtë politikë të Turqisë në nivel ndërkombëtar. E sot ata skuqen dhe struken vrimave kur dëgjojnë shumë zyrtarët rusë e ukrainas, kur thonë se presidenti Erdogan është lideri të cilit i besojnë.

Si një shtet i prekur më së shumti nga pasojat e konflikteve pa qenë shkaktar i tyre, Turqia është vend i cili e din se sa ka rëndësi investimi për paqe. Si një vend i vërshuar nga miliona refugjatë nga Siria, Iraku, Afganistani, e nga shumë vende tjera, Turqia e ka ndier për së afërmi jo vetëm çmimin, por edhe dhimbjen që shkaktojnë konfliktet.

Për këtë arsye, Turqia si rrallë ndonjë vend tjetër e din se asnjë investim për ndërtimin e paqes nuk është i tepërt, sado që të jetë çmimi i atij investimi në aspektin material.
Për këtë arsye, sot nuk ka lider botëror që nuk e vlerëson kontributin e Turqisë për paqen në botë. Ne që përcjellim zhvillimet ndërkombëtare u vërtetuam në këtë konstatim me organizimin e radhës të Forumit të Diplomacisë në Antalia.

Ky Forum tradicional, erdhi veçanërisht në shprehje sivjet, si për nivelin e orgnizimit, poashtu edhe me takimin mes ministrave të jashtëm rus dhe ukrainas, Sergej Lavrov dhe Dmitry Kuleba, si takimi i parë në nivel më të lartë mes përfaqësuesve të dy vendeve të përfshirë në këtë konflikt. Jehona e këtij Forumi është ndier në qarqet diplomatike në të gjitha qendrat e rëndësishme botërore dhe pritet që rezultatet e takimeve të zhvilluara në kuadër të tij, të sjellin rezultatet pozitive.

Ne shqiptarët jemi me fat që kemi një vend mik si Turqia dhe një popull mik si popullin turk. Jemi me fat që kemi një lidhje të fortë shekullore, që nuk shkëputet e as dobësohet sot e kësaj dite, sado që ka disa përpjekje margjinale për diçka të tillë.

Kategoritë
BotaLajme