Kongresistja e SHBA-së: Sulmet izraelite në Gaza, “akt i terrorizmit”

“Është e pandërgjegjshme të mos dënosh këto sulme në javën e Bajramit”, ka thënë Ilhan Omar

Sulmet ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës që kanë rezultuar me të paktën 24 civilë të vrarë, përfshirë nëntë fëmijë, “janë një akt terrorizmi”, ka thënë kongresistja amerikane Ilhan Omar.

“Palestinezët meritojnë mbrojtje. Ndryshe nga Izraeli që posedon mbrojtjen nga raketat, si Kupola e Hekurt, diçka e tillë nuk ekziston për të mbrojtur civilët palestinezë”, shkroi Omar në Twitter.

“Është e pandërgjegjshme të mos dënosh këto sulme në javën e Bajramit”, shtoi ajo.

Përveç të vrarëve, Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se mbi 100 persona u plagosën në sulmet ajrore.

Sulmet izraelite erdhën pasi grupet palestineze lëshuan rreth 100 raketa, përfshirë shtatë në Kuds, ndërsa raketat e tjera shënjesturan qytetet Ashkelon, Sderot dhe vendbanimet pranë Rripit të Gazës.

Sulmet me raketa erdhën si përgjigje e sulmeve të vazhdueshme izraelite në Xhaminë Al-Aksa dhe dëbimit të familjeve palestineze nga lagjja me shumicë palestineze Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor të okupuar.

Të paktën 305 persona u plagosën ndërsa policia izraelite sulmoi Al-Aksanë në Kudsin Lindor të okupuar dhe palestinezët që ishin duke bërë roje për të parandaluar sulmet e mundshme nga izraelitët hebrenj të ekstremit të djathtë, sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze. Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në Islam.

Tensionet kanë qenë në rritje në Kudsin Lindor si pasojë dëbimeve të planifikuara të dhjetëra palestinezëve nga lagjja Sheikh Jarrah, e cila ndodhet në veri të Qytetit të Vjetër. Palestinezët, të cilët u ngritën në protesta solidariteti me banorët, janë vënë në shënjestër të forcave izraelite dhe grupeve të kolononëve izraelitë.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi gjithë qytetin në 1980, një veprim i cili nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Kategoritë
BotaLajme