Konjufca takohet me ambasadoren greke Aliferi, shprehen gatishmërinë për bashkëpunim mes dy shteteve

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim lamtumirës shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, ambasadoren Chryssoula Aliferi, raporton Ekonomia Online.

Në fillim të këtij takimi mes kryeparlamentarit Konjufca dhe ambasadores greke mediet u lejuan të marrin vetëm pamje.

Në një komunikatë lëshuar për medie u tha se Konjufca falënderoi ambasadoren Aliferi për rolin e saj përgjatë mandatit si shefe e Zyrës Greke në avancimin e bashkëpunimit bilateral në projekte dhe fusha me interes të përbashkët.

Ai po ashtu ritheksoi rëndësinë që do të kishte dhe vazhdon ta ketë njohja nga ana e shtetit grek për integrimin evropian dhe euroatlantik të shtetit tonë.

Në takim u shpreh gatishmëria e dyanshme për thellimin e bashkëpunimit dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë.

Kujtojmë se Kosova është duke u vizituar mjaft shpesh nga liderët ndërkombëtar, gjë kjo e cila tregon interesim ndaj shtetit kosovar.

Kategoritë
LajmeVendi