Koronaviursi me rritje të frikshëm në ShBA, radhitet menjëherë pas Italisë

Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 9,400 njerëz kanë rezultuar pozitivë për koronavirusin vetëm për një ditë, nga 7,000 që ishin një ditë më parë. Kurse totali i rasteve është 46,292, transmeton Gzeta e Re.

Të paktën 589 persona kanë vdekur, një rritje kjo me rreth 40 për qind krahasuar me shifrat e publikuara të mërkurën.

Sipas të dhënave, 106 janë personat e shëruar. Disa ekspertë thonë se shifra e të infektuarve mund të jetë shumë më e lartë, pasi testimet që bëhen janë shumë pak. Shteti i Nju Jorkut testoi gjatë natës 8,000 njerëz për koronavirus, grupi më i madh i të ekzaminuarve deri tani në Shtetet e Bashkuara. Guvernatori Andrew Cuomo, tha sot se ka të ngjarë që ky testim masiv të çojë në një rritje të ndjeshme të rasteve me koronavirus, pasi të jenë marrë rezultatet.

Ekspertët amerikanë të shëndetësisë druhen se SHBA janë në një trajektore të ngjashme si Italia, vendi më i goditur në Evropë, ku qeveria raportoi një rekord prej mbi 500 vdekjesh vetëm të mërkurën. Shefi i emergjencave, në një nga spitalet më të mëdha të Nju Jorkut, Dr. Robert Femia, këshillon njerëzit që së pari të bisedojnë me mjekun me mjete telemjeksore, përmes videos, për të mos i mbingarkuar spitalet, të cilat kanë mungesa të ndjeshme pajisjesh, si respiratorë, për të përballuar koronavirusin. Disa spitale thonë se pajisjet u mjaftojnë vetëm për disa ditë në rast të një mbingarkese. Qeveria amerikane po përgatitet për një pandemi që mund të zgjasë deri në 18 muaj ose më shumë dhe “të përfshijë disa valë përhapjeje”, tha rrjeti CNN, i cili citonte një raport të ri. Ndërkohë, dy anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, Mario Diaz-Balart nga Florida dhe Ben McAdams i shtetit Utah, janë ligjvënësit e parë që testuan pozitivisht për koronavirusin. Mjekët janë në kontakt me ligjvënësit për të gjetur se me cilët njerëz të tjerë brenda selisë së Kongresit kanë kontaktuar ata dhe që mund të jenë ekspozuar ndaj virusit.

Kategoritë
BotaLajme