“Korrupsion” në Këshillin Evropian, Tony Blair punëson ish-kancelarian austriak, Sebastian Kurz

Ish-kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz ka filluar punë të re pas dorëheqjes nga ky post për një sërë akuzash për korrupsion. Të dielën Kurz u emërua bashkëkryetar i një OJQ-je të financuar nga Këshilli Evropian.

Ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz i cili dha dorëheqjen pas një skandali korrupsioni, u shpall të dielën bashkëkryetar i Këshillit Evropian për Tolerancën dhe Pajtimin.

Kjo Organizatë joqeveritare drejtohet nga ish-kryeministri britanik Sir Tony Blair dhe merret me luftimin e ekstremizmit, racizmit, antisemitizmit dhe ksenofobinë.

Themeluesi i kësaj organizate Moshe Kantor përshëndeti emërimin e Kurz në një postim në Twitter.

“Nuk mund të kishim gjetur një person më të mirë për të udhëhequr me pasion, mençuri dhe vendosmëri kundër sfidave të sotme globale.”

Lidhur me këtë emërim, Kurz u shpreh se ishte një nder i madh t’i bashkohesh kësaj organizate kaq të rëndësishme që punon kundër ekstremizmit dhe për tolerancë në të gjithë Evropën.

Sebastian Kurz dha dorëheqjen nga posti kryesor në tetor ndërsa u përball me akuzat se ai dhe anëtarë të tjerë të partisë së tij keqpërdorën fondet publike për të ndihmuar rritjen e tyre politike.

Kategoritë
BotaLajme