Kosova dhe Izraeli nënshkruan tri memorandume mirëkuptimi në arsim, kulturë dhe shkencë

Marrëveshjet janë nënshkruar në Izrael nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla dhe homologu i saj izraelit, Yair Lapid, ku ministrja kosovare qëndron për vizitë zyrtare tashmë dy ditë.

Kosova dhe Izraeli kanë nënshkruar tre memorandume mirëkuptimi në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës.

Marrëveshjet janë nënshkruar në Izrael nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla dhe homologu i saj izraelit, Yair Lapid, ku ministrja kosovare qëndron për vizitë zyrtare tashmë dy ditë.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, Gërvalla në takim me ministrin “Lapid shprehu konsideratën e lartë për shtetin e Izraelit nga qeveria dhe populli i Kosovës, duke vlerësuar njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, si një ngjarje shumë të rëndësishme për Kosovën.

Gërvalla, siç theksohet në njoftim, tha se Izraeli është një ndër udhëheqësit botëror në fushën e inovacionit dhe për këtë arsye njëra nga marrëveshjet përfshinë bashkëpunim edhe në këtë fushë.

“Kemi bërë marrëveshje edhe në fushën e kinematografisë duke pasur parasysh suksesin e vazhdueshëm të kinematografisë kosovare dhe bashkëpunimin me shtetet tjera, në këtë kuadër Izraeli ka shprehur interesim për bashkëpunim në këtë fushë”, tha Gërvalla në televizionin publik të Kosovës.

Duke folur nga Ambasada e Kosovës në Kuds, Gërvalla tha se pas takimit me Odën Ekonomike të Izraelit ka parë seriozitet tek pala izraelite që të investohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, megjithëse theksoi se kjo do të varet edhe nga rrethanat e krijuara nga vendet pritëse.

Në takim me homologun e saj izraelit, ministrja Gërvalla e njoftoi homologun e saj edhe me angazhimin e Qeverisë së Kosovës për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe orientimin strategjik për integrime euro-atlantike.

Në kuadër të kësaj vizite, Gërvalla vizitoi edhe qendrën përkujtimore Yad Vashem në Kuds, ku u njoh me historinë e Holokaustit.

Kosova dhe Izraeli më 1 shkurt të vitit 2021 nënshkruan një marrëveshje për “marrëdhënie të plota diplomatike”.

Kategoritë
LajmeVendi