Kosova e para në rajon për vaksinimin e qytetarëve ndaj Covid-19

Republika e Kosovës është e para në rajon me vaksinim të popullsisë, ku tashmë 45 për qind e popullsisë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës anti COVID-19.

Sipas të dhënave të publikuara nga “Our World in Data”, Kosova ka lënë pas të gjitha vendet e rajonit, sa i përket vaksinimit të popullsisë.

Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina qëndrojnë të gjitha pas Kosovës në këtë listë.

Ndryshe, tashmë ish-ministri i Shëndetësisë Arben Vitia në konferencën për media ku dha edhe lajmin për dorëheqjen e tij, tha se deri në fund të vitit pritet të vaksinohen 75 për qind e popullatës mbi moshën 16 vjeçare.

Vitia njoftoi se deri tani janë administruar mbi 1.3 milion vaksina.

Po ashtu, ai bëri të ditur se në stok aktualisht kanë rreth 400 mijë vaksina, ndërsa deri në fund të vitit do të arrijnë edhe rreth 500 mijë doza.

“Me këtë sasi dhe trend aktual të vaksinimit do të vaksinohen mbi 75 për qind e popullatës, rrjedhimisht popullata mbi moshën 16 vjeçare”, tha ai, duke u bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë me këtë trend të vaksinimit.

Vitia u shpreh se sa i përket vaksinimit, kjo ministri është në negociata edhe për dozën e tretë të vaksinave anti-COVID.

Sipas tij, certifikata e vaksinimit në Kosovë është në përputhje me standardet e BE-së dhe së voni kanë aplikuar për pranimin e kësaj certifikate nga BE-ja

Kategoritë
LajmeVendi