Kosova nënshkruan marrëveshje me Turqinë për furnizim me artikuj dhe produkte të mbrojtjes

“Kjo marrëveshje ka rol të jashtëzakonshëm në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, shkroi Mehaj

Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar marrëveshje shtet me shtet për furnizim me artikuj dhe produkte për shërbime të mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Turqi, ka bërë të ditur se e ka nënshkruar një marrëveshje të tillë në takim me presidentin e Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Ismail Demir.

‘’Kjo marrëveshje ka rol të jashtëzakonshëm në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Presidencën e Industrisë së Mbrojtjes e njoftova me synimin e Kosovës për Integrimin Euro-Atlantik dhe anëtarësim në NATO. Në këtë proces mbështetja Republikës së Turqisë për Republikën e Kosovës është tejet e rëndësishme’’, ka shkruar Mehaj në rrjetet sociale.

Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës bëhet e ditur se nga ana e tij presidenti Demir ka falënderuar Kosovën për bashkëpunimin dhe për konkretizimin e këtij bashkëpunimi me marrëveshje shtet me shtet.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, po qëndron për vizitë katërditore në Republikën e Turqisë, me ftesë zyrtare të homologut të tij, ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar.

Gjatë kësaj vizite, ministri Mehaj përveç takimit me homologun e tij, do të realizojë edhe vizitë në qendrën akademike ushtarake, si dhe në kompanitë më të njohura turke të industrisë së mbrojtjes.

Gjithashtu, Mehaj do të vizitojë edhe Konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll.

Vizita përkatëse realizohet në kuadër të objektivit strategjik për thellimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit bilateral me vendet partnere të Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi