Kosova vazhdon të përballet me ngritjen e çmimit të miellit dhe grurit

Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të përballen me rritjen e çmimit të bukës dhe të miellit. Këtë rritje furrtarët e arsyetojnë me faktin se është rritur çmimi i miellit. Ndërsa, përfaqësues të Federatës së Bujqve dhe njohës të fushës së bujqësisë po vlerësojnë se në rritjen e çmimit të bukës po ndikon kriza në Ukrainë dhe mungesa e prodhimit vendor. Ndërkaq, përfaqësues të Shoqatës së Mullisëve thonë se nuk ka vend për panik sepse në vend ka rezerva të mjaftueshme të grurit dhe miellit.

Kosova vazhdon të përballet me ngritjen e çmimit të miellit dhe grurit dhe kjo për qytetarët e vendit në këtë kohë kur ka rritje të çmimit edhe të energjisë elektrike dhe të shumicës se artikujve ushqimorë, është e papërballueshme.

Merita Bajraktari, nga Prishtina, tha për Radio Kosovën se në furrën ku ajo furnizohet me bukë gjatë kësaj jave ka pasur rritje të çmimit, dhe kjo është e papërballueshme për qytetarët.

“ Në dhjetor ka pas rritje të çmimit të bukës dhe miellit dhe të gjithë artikujve ushqimore. Tash prapë ish rrit çmimi i miellit dhe sa dola nga furra e pashë që ish shtrenjtuar prapë buka. Shumë problem për qytetarët rritja e çmimeve duke pasur parasysh që pagat janë shumë të ulëta”, tha Bajraktari.

E, furrtari Urim Gegollaj në një përgjigje për Radio Kosovën tha se rritja e çmimit të bukës është e pashmangshme pasi që është rritur çmimi i miellit, përndryshe mund të falimentojnë bizneset e tyre.

“Po, është rritur çmimi i bukës, sepse deri tani 100 kg miell i kemi blerë me 40 euro, ndërsa prej mbrëmë, çmimi ishte rritur në 46 euro. U detyruam të marrim vendimin për rritjen e çmimit të bukës për pesë centë më qëllim që të shpëtojmë biznesin”, u shpreh Gegollaj

Se çmimi i miellit do të vazhdojë të rritet edhe në ditët dhe muajt në vijim, e thotë në një përgjigje për Radio Kosovën edhe kryetari i Federatës se Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri. Ai po ashtu, tha se situata e krijuar në Ukrainë do të vështirësojë furnizimin e Kosovës me grurë se dhe kjo pritet të ndikojë në rritjen e çmimit. Ai shtoi se Kosova arrin t’i përmbush nevojat e tregut me grurë vetëm 30 për qind.

“ Lufta që po ndodh në Ukrainë, kur dihet që ky shtet ka qenë eksportuesi me i madh i grurit në Evropë. Dhe jam i sigurt që kjo ka për të ndikuar në ngritjen e çmimit të grurit dhe miellit”, theksoi Tahiri.

Se kriza në Ukrainë mund të ndikojë në përkeqësimin e situatës se furnizimit me miell, e thotë për Radio Kosovën edhe profesori universitar, Imer Rusinovci.

“ Fakti që kemi të bëjmë me krizën që është duke ndodhur në Ukrainë që është njëri ndër prodhuesit me të mëdhenj të grurit që ndryshe quhet edhe hambari i drithërave të Evropës. E që mund të shpie në përkeqësimin e raportit të Bursës Ndërkombëtare dhe tregtimit me vendet e rajonit”, thotë Rusinovci.

Ndërkohë kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Muhamet Farizi, i tha Radio Kosovës se kriza në Ukrainë nuk do të ndikojë në rritjen e çmimit të bukës dhe se qytetarët nuk duhet të shqetësohen sepse në vend ka rezerva të mjaftueshme të grurit dhe miellit.

“Kriza në Ukrainë nuk do të ndikojë në rritjen e çmimit të bukës. Qytetarët nuk kanë nevojë të shqetësohen se ka sasi të mjaftueshëm të grurit dhe miellit. Dhe sasia që ekziston po ashtu edhe ajo që pritet të vijë nga importi, krijojnë stabilitet për sa i përket furnizimit me miell”, tha Farizi.

Se Kosova përballet me mungese të grurit tregon fakti se nuk përmbush nevojat e konsumit të brendshëm, kësisoj vendi varët nga importi i cili është kryesisht nga Serbia.

Kategoritë
BotaLajme