Kosovarët mund ta zgjedhin vetë cilën vaksinë duan ta marrin

Ndonëse të gjitha vaksinat që kanë ardhur në Kosovë janë të certifikuara, qytetarët do ta kenë mundësinë që ta zgjedhin vetë atë që duan ta marrin.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se qytetarët kanë të drejtë ta zgjedhin vaksinën kur qendrat e vaksinimit kanë 2 ose më shumë lloje të vaksinave në dispozicion. Ndërsa, vërehet një interesim i madh për ta marrë vaksinën e Pfizer.

Qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të zgjedhin vet llojin e vaksinës që duan ta marrin.

Ndonëse të gjitha vaksinat që i ka në dispozicion vendi janë të certifikuara, vet ata që do të vaksinohen do ta përcaktojnë edhe llojin e vaksinës që duan ta marrin.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin vaksinën në rastet kur qendra e vaksinimit ka 2 ose më shumë lloje të vaksinave në dispozicion kundër COVID-19.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Gjakovë, Afërdita Spahiu-Shllaku, ka thënë se qytetarët në këtë komunë mund të zgjedhin se cilën vaksinë ta marrin.

Megjithatë, ajo është shprehur se varësisht nga gjendja shëndetësore e pacientit, edhe mjekët do të vlerësojnë se cila vaksinë është më e mirë për qytetarët.

“Kjo do të bëhet varësisht nga anamneza, pra nga gjendja shëndetësore që e ka pacienti. Nëse ka probleme shëndetësore atij do t’i jepet vaksina Pfizer, nëse është e mirë mund të vaksinohet me AstraZeneca. Megjithatë nuk përjashtohet edhe zgjedhja e vaksinës. Në jemi duke dhënë dozën e dytë të AstaZeneca’s, ende nuk na ka ardhur furnizimi prej atyre që kanë ardhur”, ka thënë ajo.

Përndryshe, ajo është shprehur se ka pasur interesim të qytetarëve për ta marrë vaksinën e Pfizer.

Ndërsa, edhe drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Selami Xhemaili ka thënë se tani qytetarët e kësaj komune do të kenë mundësi që të zgjedhin mes vaksinës së Pfizer dhe AstraZeneca.

Me ardhjen e dozave shtesë të vaksinave, Xhemaili ka thënë se po shpresojnë që të fillojnë me vaksinimin e më shumë qytetarëve.

“Ne po shpresojmë që me fillu me e rrit numrin e vaksinave të dhëna duke pasur parasysh që edhe shumë kategori tjera janë lejuar që të vaksinohen. Deri tani vetëm dozën e dytë e kanë marrë qytetarët të AstraZeneca’s, tani e kanë mundësinë edhe të zgjedhin atë. Pasi e kanë mundësinë, qytetarët mund ta marrin cilën vaksinë të donë”, ka thënë ai.

Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci ka deklaruar se të gjitha vaksinat që ka në dispozicion vendi janë të certifikuara, andaj edhe nuk do të jetë problematike dhënia e tyre.

Ai është shprehur se edhe interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar me këto vaksina është i madh.

“Interesimi është i lartë. Vetëdijesimit ka arritur në nivelet e dëshiruara. Për ne nuk paraqet problem lloji i vaksinës, pasi të gjitha vaksinat janë të certifikuara. Qytetarëve do të ju ofrohen vaksinat dhe me rëndësi është se në vendin tonë hyjnë vetëm vaksina të certifikuara dhe nuk ka vend për diferencime”, ka shtuar ai.

Kujtojmë që deri tani në Kosovë janë vaksinuar 206 mijë e 443 persona kundër COVID-19.

49 mijë e 616 persona kanë marrë dozën e dytë të vaksinës.

Ndërsa, interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar kundër COVID-19 vlerësohet të jetë i madh.

Kategoritë
LajmeVendi