Kosovë, 48 zyrtarë policorë dhe dy zyrtarë doganorë të arrestuar për “marrje ryshfeti”

Lumezi tha se të arrestuarit janë në kuadër aktvendimit për arrestimin e gjithsej 68 personave të dyshuar për veprën penale “marrje ryshfeti”, por 18 persona ende janë në arrati

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit është zhvilluar aksioni i koduar me emrin “Pika”, me 50 zyrtarë shtetërorë të arrestuar, nga të cilët 48 pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe dy nga Shërbimi Doganor i Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeprokruroi Aleksandër Lumezi në një konference për media tha se aksioni erdhi pas rreth një viti hetimesh, përkatësisht nga muaji maj i vitit 2021 dhe se në hetim kanë qenë të angazhuar dy prokurorë.

Lumezi tha se të arrestuarit janë në kuadër aktvendimit për arrestimin e gjithsej 68 personave të dyshuar për veprën penale “marrje ryshfeti”, por 18 persona ende janë në arrati.

Lumezi shtoi se për ndalimin e të dyshuarve që gjenden në arrati janë duke bashkëpunuar me autoritetet e Shqipërisë.

“Sot jemi njoftuar se janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 nga Policia e Kosovës dhe dy nga shërbimi doganor. Ndërsa ndaj personave të tjerë që është nxjerrë aktvendim, disa janë në arrati e disa të tjerë nuk janë shtetas të Kosovës, por në këtë drejtim po bashkëpunojmë edhe me autoritetet e Republikës së Shqipërisë për të siguruar informacione dhe prova që na ndihmojnë në këtë proces. Sot janë arrestuar 50 persona dhe nga ta janë konfiskuar telefonat mobilë të cilët do të na shërbejnë në procedurën penale”, theksoi Lumezi.

Ai theksoi se lufta kundër krimit dhe korrupsionit është edhe në agjendën e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit të Policisë, Kushtrim Hodaj, nga ana e tij në konferencë për media, tha se zyrtarët e arrestuar dyshohen për përfshirje në mbi 400 raste të veprave kriminale si marrje e ryshfetit, korrupsion dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.

“Atyre iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe të njëjtit janë suspenduar nga puna”, theksoi ai.

Operacioni policor i nisur nga mëngjesi i së hënës është përkrahur nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi