Kosovë, guvernatori Mehmeti diskuton rritjen e bashkëpunimit ekonomik me ambasadorin turk Sakar

Guvernatori falënderoi Turqinë për ndihmën e vazhdueshme dhënë Kosovës, përfshirë edhe sektorit financiar, përmes bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë dhe Autoritetin Rregullator dhe Mbikëqyrës Bankar.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka pritur në takim Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Çağri Sakar, me të cilin kanë diskutuar rritjen e bashkëpunimit ekonomik midis të dyja vendeve.

Në një komunikatë për media nga BQK bëhet e ditur se në këtë takim guvernatori Mehmeti njoftoi ambasadorin me zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe angazhimin e mëtejmë të BQK-së për të ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe mbajtjes së sektorit financiar stabil dhe likuid, në kohën kur vendi po përballet me një valë të re të pandemisë dhe me masat për frenimin e shpërndarjes së virusit.

“Guvernatori falënderoi Turqinë për ndihmën e vazhdueshme dhënë Kosovës, përfshirë edhe sektorit financiar, përmes bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë dhe Autoritetin Rregullator dhe Mbikëqyrës Bankar”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Gjithashtu, në komunikatë bëhet e ditur se nga ana tjetër, ambasadori Sakar u shpreh i lumtur për bashkëpunimin mes të dyja vendeve, derisa ofroi mbështetje të mëtutjeshme për avancimin edhe më të madh të marrëdhënieve.

Kategoritë
LajmeVendi