Kosovë, mbahet takimi “Një botë më e drejtë është e mundur nga sytë e të rinjve”

“Edhe OKB-ja ka nevojë për një përfaqësim të drejtë në mënyrë që të mund të zbatohet ideali për ndërtimin e një bote multipolare, multi-qendrore, multikulturore, më gjithëpërfshirëse dhe të drejtë”, tha ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar

Në Prishtinë është mbajtur takimi me temë “Një botë më e drejtë është e mundur nga sytë e të rinjve”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e organizuar nga Instituti Yunus Emre (YEE) në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare të Rinisë dhe Zhvillimit (UDER) morën pjesë kryekëshilltarët e presidentit të Turqisë, doç. dr. Mücahit Küçükyılmaz dhe Bekir Keleş, kryetari i YEE Şeref Ateş dhe zv.kryetari Abdullah Kutalmış Yalçın, ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, kryetari i Shoqatës Ndërkombëtare të Rinisë dhe Zhvillimit (UDER) Nuh Can Çakır si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave lokale.

Në fjalën hapëse, ambasadori Sakar tha se organizatat e formuara pas Luftës së Dytë Botërore kanë mbetur të pamjaftueshme në prodhimin e zgjidhjeve për problemet e ndryshueshme dhe komplekse në ditët e sotme.

Ai tërhoqi vëmendjen se është rritur nevoja për revizionimin e organizatave ndërkombëtare me një qasje të barabartë, të drejtë dhe të paanshme. “Edhe OKB-ja ka nevojë për një përfaqësim të drejtë në mënyrë që të mund të zbatohet ideali për ndërtimin e një bote multipolare, multi-qendrore, multikulturore, më gjithëpërfshirëse dhe të drejtë. Jemi të vetëdijshëm se për këtë nevojitet një reformë gjithëpërfshirëse dhe kjo mund të jetë e mundur me një dakordim në përmasa globale”, tha Sakar.

Doç. dr. Küçükyılmaz tha se reagimi “One Minute” i presidentit Erdoğan në Davos është një reagim që ka treguar se ka pasur të drejtë në pikën ku ka arritur bota sot.

Në paralajmërimin e tij se ideali për të ndryshuar botën tek rinia mund të shkojë në rënie me përparimin e moshës, Küçükyılmaz tha: “Ju lutem ju mos e humbisni këtë energji. Mund ta ndryshoni njerëzinë. Ashtu sikurse njerëzit kanë qenë në gjendje të ndryshojnë njerëzimin në një mënyrë pozitive ose negative nga e kaluara në të tashme, edhe ne sërish mund të arrijmë rezultate pozitive nëse bëjmë pjesën tonë në mënyrë të rregullt si pjesë e asaj sfere njerëzore. Nëse ju humbisni këtë shpresë edhe fëmijët tuaj nuk lindin me këtë shpresë dhe nuk mund të shikojnë jetën me një shpresë”.

Në vazhdim Küçükyılmaz foli për rëndësinë e lidershipit të fuqishëm pas luftës Ukrainë-Rusi. “Kur e shikojmë, personat që tregojnë performancë lidershipi që nuk është në përputhje me fuqinë e vendit të tyre, fatkeqësish ata kanë mbetur në këmbë në këtë krizë dhe janë bërë pjesë e krizës. Teksa sot vazhdon lufta Rusi-Ukrainë, i vetmi aktor që mund të formojë një tryezë paqeje është Republika e Turqisë nën drejtimin e Recep Tayyip Erdoğan. Ndoshta Turqia nuk është shteti më i fuqishëm i botës, por ajo në shekullin e fundit që nga Lufta Ballkanike ka qenë gjithmonë ndërgjegje e njerëzisë, një territor ishull i qetësisë njerëzore”, theksoi Küçükyılmaz.

Kreu u YEE, Ateş tha se mendimi dhe liria e mendimit mund të përbëjë gjithmonë mundësi të reja. “Jam i sigurt se në diskutimet e sotme si të rinjtë që marrin pjesë nga Turqia si dhe ju, do të realizoni pikëpamje pozitive për paqen botërore dhe që njerëzit të mund të jetojnë më të lumtur së bashku. Sipas mendimit tonë, paqja nuk është alternativë ndaj luftës apo situatë pa luftë. Paqja është një veprim aktiv. Edhe kultura jonë është kulturë e paqes, e përshëndetjes. Është për të krijuar një mjedis ku njerëzit jetojnë së bashku me dallimet e tyre. Dallimet kulturore nuk janë kundërshtim i pasurisë kulturore ose alternativë, por kulturat janë plotësues të njëra-tjetrës”, shtoi Ateş.

Pas fjalimeve të hapjes, përfaqësuesit e UDER me prezantimin “Një botë më e drejtë është e mundur nga sytë e të rinjve!” u diskutua për problemet me të cilat janë përballur prej vitesh emigrantët dhe refugjatët.

Takimi përfundoi me shpërndarjen e dhuratave për pjesëmarrësit dhe fotografive në grup.

Kategoritë
LajmeVendi