Kosovë, ministri brendshëm pret në takim homologun austriak, Karl Nehammer

Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme, dy ministrat vunë në pah raportet e shkëlqyera që ka Kosova dhe Austria, ndërsa diskutuan edhe për çështjet aktuale të sigurisë në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçlam ka pritur në takim zyrtar në Prishtinë homologun e tij austriak, Karl Nehammer, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme, dy ministrat vunë në pah raportet e shkëlqyera që ka Kosova dhe Austria, ndërsa diskutuan edhe për çështjet aktuale të sigurisë në Kosovë.

Sveçla mori mbështetje nga ministri austriak për sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, si prioritete të Qeverisë së Kosovës, përfshirë situatën në veri të vendit.

“Ju sot ndodheni në Kosovë në një moment tejet të rëndësishëm dhe tashmë jeni të njoftuar me situatën aktuale në veri të vendit tonë. Në kuadër të luftës sonë kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë, është thelbësore të theksojë se angazhimet tona në këtë drejtim nuk do të bëjnë kurrfarë dallimi, dhe se do të sigurohemi që ligjshmëria, rendi dhe ligji të sundojnë edhe në veri të vendit”, theksoi ministri Sveçla.

Ministri Sveçla po ashtu duke folur për tensionet e krijuara në veri të Kosovës, pas vendosjes së reciprocitetit me targat e automjeteve me Serbinë, tha se Policia e Kosovës po qëndron në pika kufitare për siguri të qytetarëve dhe respektim të plotë të vendimeve legjitime të Qeverisë së Kosovës dhe se kjo kurrsesi nuk është provokim e as kërcënim për qytetarët tanë në veri të Kosovës.

“Përkundrazi, ligjshmëria në veri, është parakusht për zhvillim, mirëqenie dhe prosperitet për qytetarët tanë atje. Djegia dhe shkatërrimi i institucioneve të shtetit në Zubin Potok dhe Zveçan dëshmon edhe një herë nevojën e angazhimit serioz të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës”, komentoi ministri Sveçla veprimet të cilat ndodhën gjatë të shtunës ku u dogj Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok, ndërsa u tentua të digjej edhe ajo në Zveçan.

Nehammer, nga ana e tij, vlerësoi se Austria e ka partner strategjik Kosovën në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit. Ai theksoi se shteti i tij është i interesuar që të avancojë tutje bashkëpunimin mes Policisë së Austrisë dhe Policisë së Kosovës, e cila për momentin është një mision delikat sa i përket situatës në veri.

“Kosova për Austrinë është një partner i qenësishëm dhe konstruktiv sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe trafikimit. Ne kemi biseduar sot që këtë bashkëpunim dëshirojmë ta zhvillojmë dhe intensifikojmë tutje edhe në nivelin e policisë. Përpos kësaj, dua të falënderoj Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Policët e Kosovës të cilët për momentin janë në këtë detyrë të vështirë që kanë në veri. Operacioni politik bëhet me vigjilence dhe kujdes të shtuar dhe unë i kam lutur që edhe më tej të vazhdohet në këtë mënyrë, duke e ditur që për policët është një detyrë e vështirë, mirëpo njëkohësisht një detyrë posaçërisht e rëndësishme për qytetarët atje dhe për të fituar besimin në shtetin e tyre”, ththaeksoi Nehammer.

Nehammer ftoi delegacionin e Kosovës për një vizitë në Vjenë, për të trajtuar edhe çështje tjera më rëndësi, siç është ajo migrimit të paligjshëm, ku Kosova vlerësohet një partner strategjik.

Automjeteve me regjistrim të Serbisë nga 20 shtatori u lejohet hyrja dhe qarkullimi në territorin kosovar vetëm me targa të përkohshme të lëshuara në pikat kufitare apo në Qendra të Regjistrimit të Automjeteve në të gjithë Kosovën, afati i të cilave zgjat 60 ditë dhe kushtojnë 5 euro.

Një gjë e tillë shkaktoi pakënaqësi tek qytetarët serbë të cilët jetojnë në pjesën veriore të vendit, pakënaqësi e cila po vazhdon që nga dita e parë kur konkretizua me protesta duke bllokuar rrugët që të çojnë në dy pika kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Kategoritë
LajmeVendi