Kosovë, në Ministrinë e Mbrojtjes shënohet 23 Prilli – Dita e Komunitetit Turk

“Përmes rritjes së përfshirjes së komunitetit turk në institucionet tona, bëhet forcimi i raporteve me shtetin e Turqisë, i cili gjithmonë e ka përkrahur ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit tonë”, tha ministri Mehaj

Me rastin e shënimit të 23 Prillit – Ditës së Komunitetit Turk në Kosovë, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga zv/ministri Adnan Rexheplar, ka organizuar një tryezë të rrumbullakët, ku morën pjesë personalitete të shumta të shquara politike dhe ushtarake të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare veçanërisht nga Republikës së Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga ministria, ministri Mehaj ka uruar të gjithë zyrtarët, oficerët dhe nënoficerët e komunitetit turk, në shënimin e ditës së tyre duke thënë se ky komunitet ka vend të respektuar në institucionet e Kosovës dhe se këtë respekt, e kanë fituar pjesëtarë të këtij komuniteti falë përkushtimit në këto institucione dhe punës së ndershme.

Më tej, Ministri Mehaj, bëri të ditur se është i përkushtuar që në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) të rritet numri i pjesëtarëve të komuniteteve tjera pakicë, duke përfshirë edhe komunitetin turk.

“Përmes rritjes së përfshirjes së komunitetit turk në institucionet tona, bëhet forcimi i raporteve me shtetin e Turqisë, i cili gjithmonë e ka përkrahur ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit tonë”, tha ministri Mehaj gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve.

Me fjalë rasti për rëndësinë e kësaj Dite, si dhe marrëdhënieve kulturore e bashkëpunimit në mes të dy vendeve, popujve, ministrive dhe forcave, u paraqitën edhe Ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe zv/Komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi.

Në këtë organizim mori pjesë edhe drejtori i NALT-it (Ekipit Këshillues Ndërlidhës i NATO-s), Gjeneral Joachim Hoppe, atasheu turk i mbrojtjes, kolonel Çağdaş Akif Kahraman, shefi grupit parlamentar multietnik, Enis Kervan dhe deputetja e grupit parlamentar multietnik në Republikën e Kosovës, Fidan Jilta.

Kategoritë
LajmeVendi