Kosovë, presidentja Osmani priti në takim ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock

Osmani theksoi se për Kosovën dhe paqen e sigurinë në rajon, është ekzistenciale fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO

Siç ka bërë të ditur Zyra e Presidentit të Kosovës, Osmani ka theksuar se Kosova i është bashkuar Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa është e gatshme për të strehuar refugjatë ukrainas.

Presidentja Osmani kërkoi nga ministrja Baerbock mbështetje nga Gjermania për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE) për anëtarësim në Partneritetin për Paqe, pastaj në NATO, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Presidentja Osmani theksoi se për Kosovën dhe paqen e sigurinë në rajon, është ekzistenciale fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO, meqë edhe agresioni rus në Ukrainë, sipas saj, “e ka nxitur domosdoshmërinë e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor”.

Presidentja Osmani ka potencuar se aspirata e Kosovës për t’u bërë anëtare e NATO-s, synon parandalimin e përpjekjeve për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin nga përpjekjet e Rusisë dhe aleatit të saj, Serbisë.

Në këtë takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, ku Osmani theksoi se për Kosovën, Gjermania është “partner strategjik në aspektin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik”.

Presidentja Osmani vlerësoi se marrëdhëniet me Gjermaninë i bëjnë edhe më të forta një numër i madh i mërgimtarëve kosovarë, të cilët jetojnë dhe janë të integruar mirë në Gjermani.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock pas takimit me presidenten Osmani do të takohet edhe me kryeministrin Kurti.

Kategoritë
LajmeVendi