Kosovë, promovohet Katalogu i Ekspozitës Arkeologjike “Dardania Antike”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “një pjesë e rëndësishme e pasurisë tonë kulturore vazhdon të mbahet padrejtësisht në Serbi”

Në Muzeun Kombëtar të Kosovës është promovuar Katalogu i Ekspozitës Arkeologjike “Dardania Antike” i punuar nga arkeologët Milot Berisha dhe Arben Hajdari, raporton Anadolu Agency (AA).

Katalogu i cili paraqet një narracion kronologjik të përmbajtjes së ekspozitës është i bazuar në referencë shkencore por i adoptuar si tekst edhe për lexuesin e zakonshëm. Ai është ilustruar me fotografi dhe harta të lokaliteteve arkeologjike në Kosovë, por edhe me fjalor shpjegues për to.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se duke mbrojtur trashëgiminë kulturore mirëmbahet kujtesa kolektive, forcohet ndjenja e përkatësisë dhe ndihmohet zhvillimi i vendit.

Kurti tha se qindra artefakte të koleksionit arkeologjik dhe qindra të tjera të koleksionit etnografik të Kosovës sot gjenden nëpër muzetë e Beogradit, për të cilat autoritetet kosovare edhe zyrtarisht gjatë këtij muaji i kanë kërkuar autoriteteve serbe kthimin e tyre në vendin e origjinës.

“Ndonëse kanë kaluar 23 vjet, një pjesë e rëndësishme e pasurisë tonë kulturore vazhdon të mbahet padrejtësisht në Serbi. Artefaktet tona janë marrë me qëllim të ekspozimit të përkohshëm, por, në rrethana të luftës. Marrëveshjet e nënshkruara nuk janë respektuar nga institucionet e Serbisë ndërsa moskthimi i pasurisë kulturore në vendin e origjinës përbën shkelje të konventave ndërkombëtare”, tha Kurti.

Ai tha se kjo nuk është shkelja e vetme, duke shtuar se në kohën kur po zhvillohej procesi për marrjen dhe transportin e artefakteve nga Prishtina në Beograd, Serbia “vazhdonte të shkatërronte pamëshirshëm monumentet kosovare”.

Në prezantimin e katalogut, Arsim Canolli, profesor në Departamentin e Antropologjisë në Fakultetin e Filozofisë, gjithashtu tha se Muzeu Kombëtar mbanë artefakte të një morie lokalitetesh arkeologjike gjithandej Kosovës por një pjesë të madhe të artefakteve të këtij muzeu mbahen ende në Serbi që nga qershori 1999.

“Katalogu është një narrativ, një libërth që jep informacione edhe më të mëdha se sa jepen në ekspozitë”, tha Canolli, duke shtuar se katalogu gjithashtu i jep ekspozitës kontekst historik.

Njëri nga autorët e tij, Arben Hajdari, tha se katalogu do të ndërtojë një panoramë të përgjithshme të rrugës nëpër të cilën ka kaluar Kosova, respektivisht territori i saj që nga periudha parahistorike deri në fundin e periudhës mesjetare.

“Përmes këtij katalogu ne synojmë që të ofrojmë një narracion muzeologjik i cili do të jetë një ndërmjetësues i rëndësishëm midis vizitorëve dhe eksponateve, respektivisht këtyre vlerave që përfaqësojnë këto eksponate të cilat do t’i ndihmojnë vizitorëve që t’i kuptojnë më mirë vlerat historike dhe arkeologjike që ato përfaqësojnë”, tha Hajdari.

Ekspozita arkeologjike “Dardania Antike” në Muzeun Kombëtar të Kosovës paraqet një repertor të pasur arkeologjik të artefakteve dhe ekofakteve nga epoka e neolitit deri te mesjeta e vonë, një periudhë rreth 8 mijë vjeçare. Ekspozita është hapur për publikun më 23 shkurt të vitit 2018 dhe që nga ajo ditë është vizituar nga mbi 30 mijë vizitorë.

Në promovimin e këtij katalogu ka marrë pjesë edhe Ambasadori i Turqisë, Çağrı Sakar, përfaqësues të Misionit të OSBE-së në Kosovë, KFOR-it, deputetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Kategoritë
LajmeVendi