Kosovë, vihen në pranga 26 zyrtarë policorë të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit

Nga 26 zyrtarët e arrestuar policorë, bëhet e ditur se nga ta janë dy rreshterë dhe 24 zyrtarë policorë, që të gjithë nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje e ryshfetit”

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale kanë arrestuar të premten 26 zyrtarë policorë në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale marrje ryshfeti dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Operacioni policor “Pika 2” i cili u krye nga inspektorati policor me urdhër të Prokurorisë filloi të premten në mëngjes në pikën kufitare të Kosovës me Shqipërinë, përkatësisht në fshatin Vërmicë të Prizrenit.

Inspektorati ka njoftuar se operacionit i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë të punësuar në Drejtorinë Rajonale kufitare “Perëndimi”.

“Me autorizimin e Prokurorisë Speciale në kuadër të këtij hetimi nga hetuesit e IPK-së janë përshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe masat e nevojshme që të zbulojnë dhe të ruajnë gjurmët dhe provat tjera të veprave penale dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si prova të cilat mund të përdoren në procedurë penale”, njofton IPK.

Nga 26 zyrtarët e arrestuar policorë, bëhet e ditur se nga ta janë dy rreshterë dhe 24 zyrtarë policorë, që të gjithë nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje e ryshfetit”.

Si pjesë e procedurave administrative nga IPK është dhënë edhe rekomandimi për suspendim nga detyrat e punës për zyrtarët tashmë të arrestuar.

Hetimi ka përfshirë edhe bashkëpunimin me Strukturën e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të Republikës së Shqipërisë (SPAK) Agjencinë për Mbikëqyrje Policore të Shqipërisë që ka rezultuar me arrestimin e disa të dyshuarve edhe në Republikën e Shqipërisë.

Në fund, IPK njofton se hetuesit e saj do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore në kuadër të këtij rasti në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Gjatë muajit mars, IPK realizoi operacionin “Pika” ku u arrestuan 50 zyrtarë shtetërorë nga të cilët 48 pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe dy nga Shërbimi Doganor i Kosovës gjithashtu të dyshuar për veprën penale “marrje ryshfeti”.

Kategoritë
LajmeVendi