KQZ: 160 kandidatë nga 30 subjekte s’mund të garojnë në zgjedhje lokale, shkak veprat penale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar përgjigjet nga institucionet e ndryshme, lidhur me përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatëve sipas nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media bëri të ditur se 30 subjekte politike nga 93 sa janë paraqitur për të marrë pjesë në zgjedhje kanë kandidatë që gjatë tri vjetëve të fundit kanë vendim përfundimtar për vepër penale.

“KQZ ka pranuar përgjigje nga institucionet të ndryshme lidhur me përshtatshmërinë po aftësinë e kandidatëve sipas nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme – përgjigje kanë dërguar Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Dogana e Kosovës”.

“Duke u mbështetur në përgjigjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës rezulton se 30 subjekte politike nga 93 sa janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhje, kanë kandidatë të cilët nuk janë në pajtueshmëri me Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pikën ‘q’, sipas të cilës kandidat nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit”, tha Elezi.

Elezi bëri të ditur se janë 160 kandidatë nga lista prej pesë mijë e 200 kandidatë u pamundësohet kandidimi në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.

“Janë 160 kandidatë nga lista prej më shumë se 5 mijë e 200 kandidatësh, të cilët kanë kërkuar të certifikohen qoftë në zgjedhjet për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale, por që kanë së paku një vendim përfundimtar të gjykatës me anë të të cilit janë shpallur fajtor për vepër penale në tri vitet e fundit. Pas pranimit të këtyre përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, ka filluar t’i njoftojë subjektet politike për përgjigjet e institucioneve dhe të njëjtave do t’iu japë mundësi që të bëjnë zëvendësimet e këtyre personave me kandidatë të tjerë” tha Elezi.

Elezi bëri të ditur se në rast të mos certifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.

“Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator. Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator”.

Kategoritë
LajmeVendi