KQZ miraton dizajnin e fletëvotimit, kërkohet të dyfishohet fushata informuese për votim

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka miratuar dizajnin e dy fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, raporton Ekonomia Online.

Ylli Buleshkaj nga ZRPPC ka njoftuar për disa nga aktivitetet që po i kryejnë gjatë kësaj periudhe mes të cilave ka thënë se rekomandojnë miratimin e regjistrimit të partisë politike “Lëvizja e Diasporës”.

Me numër unanim votash është miratuar që kjo parti të regjistrohet për zgjedhjet lokale të tetorit.

Po ashtu Buleshkaj ka rekomanduar miratimin e 5 vëzhguesve të një mediumi.

Ndërsa, anëtari i LDK-së në KQZ-së, Florian Dushi ka kërkuar të dihen emrat e saktë.

“Duhet me ditë ne kënd po e certifikojmë, kush janë ata emra të përveçëm. Nuk akreditojmë një subjekt dhe ai të mbetet i lirë që zgjedh emrat çfarëdo”, është shprehur ai.

Ndërsa, përfaqësuesi i PDK-së, Arianit Elshani, nga Këshilli për Operacione Zgjedhore, ka thënë se kanë pasur një rekomandim nga shoqëria civile për ndryshimin e dizajnit të fletëvotimit për Kuvend komunal dhe kryetar komune, por që për shkak të kohës së kufizuar nuk kanë pasë mundësi me aplikua.

“Mendojmë që qytetarët kanë memorizuar këtë fletëvotim dhe çdo ndryshim i madh i tyre do të krijonte huti te ta për mënyrën e të votuarit”.

“Kemi vazhdu me dizajnin e njëjtë me disa ndryshime të vogla teknike”, është shprehur ai.

Anëtari i VV-së, Sami Kurteshi, ka pyetur se fjala shënjim përdorur në fletëvotim a i bien votim, kurse Elshani ka thënë se kjo ndoshta mund të krijoj paqartësi dhe duhet diskutuar.

“Votoni në vend të shënjoni”, ka thënë anëtari tjetër, Iliri Gashi.

E Florian Dushi ka thënë se qytetarët duhet të informohen për mënyrën e saktë të votimit.

“Të dyfishohet fushata informuese për qytetarët. Të fokusohemi te edukimi i votuesve për mënyrën e votimit në përgjithësi”, është shprehur ai.

Kategoritë
LajmeVendi