Kremlini mohon se Rusia përgatit sulme kibernetike kundër kompanive amerikane

“Federata Ruse, ndryshe nga shumë vende perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk angazhohet në banditizëm në nivel shtetëror”, tha zëdhënësi i Kremlinit

Rusia nuk planifikon sulme kibernetike kundër kompanive amerikane, theksoi sot zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një konferencë shtypi në Moskë, raporton Anadolu Agency (AA).

Peskov iu përgjigj komenteve të presidentit amerikan Joe Biden për sulme të mundshme kibernetike nga Rusia për t’iu kundërpërgjigjur sanksioneve amerikane, duke thënë: “Federata Ruse, ndryshe nga shumë vende perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk angazhohet në banditizëm në nivel shtetëror”.

Peskov u përmbajt nga komentet për rrjedhën e bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë për shkak të frikës se do të dëmtonte procesin, i cili nuk po ecën me një ritëm që favorizon Moskën.

“Jemi të bindur se për momentin bërja e tyre publike vetëm mund të dëmtojë procesin e negociatave, i cili tashmë po shkon shumë më ngadalë dhe më pak kuptimplotë sesa do të dëshironim”, tha ai.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka tërhequr dënimin ndërkombëtar, ka çuar në sanksione financiare ndaj Moskës dhe ka nxitur një eksod të firmave globale nga Rusia.

Sipas të dhënave të OKB-së, të paktën 925 civilë kanë humbur jetën gjatë luftës në Ukrainë dhe rreth 1.500 të tjerë janë plagosur.

Kategoritë
BotaLajme