Kremlini: Putin akuzoi Biden-in për përhapje të lajmeve të rreme për invazionin rus në Ukraninë

Këshilltari i Kremlinit Ushakov deklaroi se Putin gjatë bisedës telefonike me Biden paralajmëroi se armatosja e Ukrainës nga ana e vendeve perëndimore është e rrezikshme.

Presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë homologut të tij amerikan Joe Biden se nuk e kupton pse presidenti amerikan ka dhënë qëllimisht informacion të rremë për pushtimin e Ukrainës nga vendi i tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur para gazetarëve për bisedën telefonike njëorëshe midis Putinit dhe Biden-it, këshilltari për politikën e jashtme i Kremlinit, Yuri Ushakov, tha se takimi ishte i balancuar dhe i orientuar drejt biznesit.

“Biseda u zhvillua në një atmosferë histerie të paprecedentë se Rusia me siguri do të nisë një sulm ndaj Ukrainës në të ardhmen e afërt”, tha Ushakov, duke shtuar se pretendimet se Rusia do të sulmonte Ukrainën në mënyrë të koordinuar u përhapën në Perëndim.

Ai tha se rrëfimet për pushtimin e supozuar rus krijon parakushte për veprime të mundshme provokuese të forcave të armatosura të Ukrainës.

“Amerikanët po shtojnë artificialisht histerinë për të ashtuquajturin pushtim të planifikuar, madje thonë edhe datat e pushtimit, dhe paralelisht me aleatët e tyre po ofrojnë mjete financiare për të forcuar ushtrinë ukrainase dhe për të rritur numrin e instruktorëve ushtarakë të dërguar në Ukrainë”, tha Ushakov.

Ai tha gjithashtu se presidenti amerikan Biden i tha Putinit se Washington-i dhe Moska duhet të bëjnë çmos për të mbështetur stabilitetin dhe sigurinë në botë, pavarësisht se janë rivalë.

“Biden theksoi se gjithçka duhet bërë në kuadër të çështjes ukrainase për të shmangur skenarin më të keq”, tha ai.

“Putin paralajmëroi se armatosja e Ukrainës nga vendet perëndimore është e rrezikshme. Vendet perëndimore po inkurajojnë veprimet provokuese të forcave ushtarake ukrainase në Donbas dhe Krime”, tha Ushakov.

Kategoritë
BotaLajme