“Krenar që jam rikthyer te Man Utd”, Ronaldo vjen me reagim emocional pas debutimit me dy gola

Cristiano Ronaldo ka debutuar me dy gola ndaj Newcastle Unitedi pas rikthimit të Manchester Unitedi, teksa ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të shkruar për këtë moment magjik.

Manchester Unitedi ka fituar me rezultat 4-1 ndeshjen e tyre në shtëpi ndaj Newcastle në kuadër të javës së katërt në Ligën Premier.

Golat në këtë ndeshje për vendasit u shënuan nga Ronaldo (45+, 62’), Bruno Fernandes (80’) dhe Jesse Lingard (90+), ndërsa për mysafirët shënoi Javier Manquillo (56’).

Ky ishte një rikthim i mahnitshëm për yllin portugez i cili pas dy golave dhe debutimit në Old Trafford ka shkruar në rrjetet sociale.

“Kthimi im në Old Trafford ishte vetëm një kujtesë e shkurtër pse ky stadium njihet si Teatri i ëndrrave. Për mua, ai ka qenë gjithmonë një vend magjik ku mund të arrini gjithçka që keni vendosur”.

“Së bashku me të gjithë bashkëlojtarët dhe me mbështetjen e mahnitshme që marrim gjithmonë nga tribunat, ne përballemi me rrugën përpara me besim dhe optimizëm që të gjithë do të festojmë së bashku në fund. Krenar që jam kthyer në Man United dhe duke luajtur edhe një herë në Ligën Premier, por mbi të gjitha, i lumtur për të ndihmuar ekipin. Le të shkojmë, Djajtë!”, ka shkruar Ronaldo në profilin e tij privat në Instagram.

Kategoritë
LajmeSport