Kreu i inteligjencës pakistaneze vizitë në Kabul për bisedime me liderët e talebanëve

Vizita e Hameed është realizuar në mesin e përpjekjeve të talebanëve për të formuar një strukturë qeverisëse në Kabul

Gjeneral Lejtant, Faiz Hameed, kreu i shërbimit inteligjent të Pakistanit (ISI) ka vizituar Kabulin për të zhvilluar bisedime me liderët talebanë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lajmet në shtypin pakistanez thuhet se kreu i ISI, Hameed, do të diskutojë me liderët e talebanëve zhvillimet e fundit dhe të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Vizita e Hameed është realizuar në mesin e përpjekjeve të talebanëve për të formuar një strukturë qeverisëse në Kabul.

Një punonjës i inteligjencës që dëshiron të mbetet anonim në një deklaratë në median sociale tha se delegacioni nën udhëheqjen e Hameed që ka vizituar Kabulin do të sjellë në rend dite çështjen e menaxhimit kufitar që vazhdon prej kohësh mes dy vendeve si dhe çështjen e organizatës terroriste “Talebanët e Pakistanit (TTP)”.

Administrata e Islamabadit thekson se TTP prej një kohe të gjatë është vendosur në Afganistan dhe kryen sulme përtej kufijve. Pakistani shpreson se këto sulme do të përfundojnë pasi talebanët të sigurojnë kontrollin në pjesën më të madhe të Afganistanit.

Gjithashtu Pakistani pretendon se TTP është e lidhur me inteligjencën indiane dhe atë ish-afgane. Ndërsa ish-administrata e Afganistanit dhe ajo e Indisë i kanë mohuar këto pretendime.

TTP u formua në vitin 2007 dhe që nga ajo kohë e deri më tani ka kryer sulme të cilët kanë në objektiv civilët dhe ushtarët në Pakistan.

Në operacionet ushtarake të Pakistanit kundër TTP, që nga viti 2014 e deri tani janë vrarë mbi 5 mijë terroristë ndërkohë që gjatë kësaj periudhe kanë humbur jetën mbi 700 ushtarë.

Kategoritë
BotaLajme