Kreu i OKB-së bën thirrje për de-përshkallëzim të tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës

“Nuk ka alternativë ndaj diplomacisë, është koha për të de-përshkallëzuar seriozisht situatën në kufirin ukrainas”, tha Guterres në seancën hapëse të Konferencës tre-ditore të Sigurisë në Munih të Gjermanisë

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, bëri thirrje për de-përshkallëzim në Evropë, duke thënë se një konflikt ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës do të ishte “katastrofik”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Nuk ka alternativë ndaj diplomacisë, është koha për të de-përshkallëzuar seriozisht situatën në kufirin ukrainas”, tha Guterres në seancën hapëse të Konferencës tre-ditore të Sigurisë në Munih të Gjermanisë.

“Me një përqendrim të forcave ruse rreth Ukrainës, unë jam thellësisht i shqetësuar për tensionet e rritura dhe shtimin e spekulimeve për një konflikt ushtarak në Evropë”, tha ai.

Shefi i OKB-së, megjithatë, shtoi se ai nuk mendon se një konflikt ushtarak do të ndodhë në Evropë.

“Unë ende mendoj se nuk do të ndodhë. Por nëse do të ndodhte, do të ishte katastrofik”, tha Guterres.

“Gjatë pjesës më të madhe të Luftës së Ftohtë, kishte mekanizma që i mundësonin protagonistëve të llogarisnin rreziqet dhe të përdornin kanalet e pasme për të parandaluar një krizë”, shtoi ai.

Kreu i OKB-së gjithashtu tha se shumë prej atyre sistemeve nuk ekzistojnë më sot, bashkë me shumicën e njerëzve të trajnuar për t’i përdorur ato.

Prandaj, sipas tij, keqkomunikimi dhe llogaritja e gabuar mund të bëjnë që një incident i vogël mes fuqive të përshkallëzojë jashtë kontrollit.

Kategoritë
BotaLajme