Kreu rajonal i IFC-së viziton “Comoditën”, njihet me super-kapacitetet prodhuese

Ary Naïm, menaxher rajonal për Evropën Qendrore dhe Juglindore i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), e vizitoi sot gjigantin e prodhimit të dyshekëve “Comodita” në Gjakovë, ku u prit nga Eroll Shabi, drejtor i “Comodita” dhe Shkëlqim Devolli, aksionar i “Devolli Corporation”.

Aty, Naïm e pa nga afër procesin e prodhimit dhe u njoftua për shitjen e brendshme dhe eksportin. Bashkë me nikoqirët, mysafiri diskutoi mundësitë e bashkëpunimit në mënyrë që prodhimet e “Comodita” të shtohen në kapacitet e cilësi.

“Comodita” është ndër eksportuesit më të mëdhenj të dyshekëve në botë, duke pasur treg të madh edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më herët, Naïm qëndroi në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Mjedisit, ku me ministrin Liburn Aliu nënshkroi marrëveshje për një projekt të ri këshillimor për mbështetjen e qeverisë së Kosovës në rritjen e mundësive për banim të përballueshëm në vend, duke ndihmuar në përmirësimin e jetës për banorët dhe rritur zhvillimin gjithëpërfshirës afatgjatë.

IFC-ja është anëtare e Grupit të Bankës Botërore dhe është institucioni më i madh zhvillimor global i përqendruar në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Punon në më shumë se 100 vende të botës, duke përdorur kapitalin, ekspertizën dhe ndikimin për të krijuar tregje dhe mundësi në vendet në zhvillim. Në vitin fiskal 2021, IFC ka investuar një shumë rekord prej 31.5 miliardë dollarë amerikanë në kompani private dhe institucione financiare në vendet në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t’i dhënë fund varfërisë së skajshme dhe për të rritur prosperitetin e përbashkët, ndërsa ekonomitë përballen me ndikimet e pandemisë COVID-19.

Kategoritë
LajmeVendi