Kriza energjetike, Libani mbetet tërësisht në terr

Libani ka mbetur tërësisht pa energji elektrike, duke lënë shtetin në errësirë në një kohë krize ekonomike

Një zyrtar qeveritar ka thënë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se dy termocentralet kryesore të vendit janë mbyllur për shkak të mungesës së karburantit.

Funksionimi “është ndalur tërësisht sot” dhe nuk pritet të rinisë edhe për disa ditë, kanë thënë nga Qeveria.

Për 18 muajt e fundit, Libani është përballë me krizë të thellë ekonomike e mungesa të karburanteve.

Kriza ka lënë gjysmën e popullatës në varfëri, e që po përcillet me demonstrata të mëdha kundër politikanëve.

Kompania shtetërore për rrymë ka konfirmuar po ashtu fiken e dy termocentraleve, që bashkë janë burim i rreth 40 për qind të energjisë elektrike në vend.

Mbyllja e tyre ka lënë krejt shtetin në terr, dhe se “s’ka mundësi të rikthimit të operimeve së shpejti”.

“Al Jazeera” raporton se në disa vende afër zyrave të kompanisë ka nisur bllokimi i të gjitha rrugëve nga protestuesit.

Shumë qytetarë të Libanit varen nga gjeneratorët privatë me naftë. Por këto janë bërë tepër të shtrenjtë për shkak të mungesë së karburantit dhe nuk mund të mbulojnë nevojat që ka shteti.

Kohëve të fundit njerëzit shpeshherë kanë pasur vetëm dy orë rrymë në ditë, para mbylljes totale.

Shteti po mundohet të rikuperohet pas shpërthimit masiv në Bejrut në gusht të 2020-s, që la të vdekur 219 persona e më shumë se 7000 të lënduar.

Kategoritë
LajmeVendi