Kroacia dëbon 24 punonjës të Ambasadës Ruse

Ministria e Jashtme e Kroacisë ka kërkuar që 18 diplomatë dhe 6 anëtarë të stafit administrativ dhe teknik, gjithsej 24 punonjës të Ambasadës së Federatës Ruse në Kroaci të largohen nga vendi.

Ambasadori i Federatës Ruse në Zagreb sot u ftua në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë për t’i shprehur dënimin më të ashpër për agresionin brutal kundër Ukrainës dhe krimet e shumta.

Palës ruse iu përsërit thirrja për ndërprerje të menjëhershme të aktiviteteve ushtarake dhe tërheqjen e trupave ruse nga i gjithë territori i Ukrainës si dhe sigurimin urgjent të rrugëve të evakuimit për popullatën dhe dërgimin e ndihmave humanitare, tha Ministria e Jashtme kroate.

Më tej u theksua se Kroacia pret që përgjegjësit e krimeve të sillen para drejtësisë.

Në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, pala ruse u informua për vendimin e Kroacisë për të reduktuar numrin e personelit diplomatik dhe administrativo-teknik të Ambasadës së Federatës Ruse në Zagreb, gjë që redukton fushëveprimin e misionit diplomatik të Federatës Ruse në Zagreb në nivel të Ambasadës së Republikës së Kroacisë në Moskë dhe u kërkua që 18 diplomatë dhe gjashtë anëtarë të personelit administrativ dhe teknik (gjithsej 24 punonjës) të Ambasadës së Federatës Ruse në Kroaci të largohen nga vendi.

Dëbimi i diplomatëve nga Kroacia është vazhdimësi e aktiviteteve diplomatike të shteteve anëtare të BE-së, por edhe vendeve të tjera të botës kundër Federatës Ruse në përpjekje për të ndalur agresionin e mëtejshëm ndaj Ukrainës.

Kategoritë
BotaLajme