Kroacia i kthen Turqisë thesaret arkeologjike

“Ne i jemi mirënjohës Kroacisë për konfiskimin e suksesshëm dhe efikas të thesareve kulturore”, tha ambasadori i Turqisë në Kroaci, Mustafa Babur Hizlan.

Në Ministrinë e Kulturës dhe Medias së Kroacisë të martën u bë dorëzimi i objekteve arkeologjike Republikës së Turqisë, të cilat më shumë se 1.000 iu sekuestruan një shtetasi turk në pikën kufitare të Bajakovës në dhjetor 2021.

Objektet me vlerë arkeologjike iu dorëzuan ambasadorit të Turqisë në Kroaci, Mustafa Babur Hizlan dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Burca Ozdemir, nga drejtoresha e Drejtorisë për Bashkëpunim Kulturor Ndërkombëtar dhe Çështje Evropiane, Anja Jelaviq.

Ambasadori i Turqisë në Kroaci, Mustafa Babur Hizlan rikujtoi se para tre muajsh ishte edhe në Ministrinë e Kulturës dhe Medias kroate për të marrë në dorëzim monedhat antike të sekuestruara në vitin 2019, të cilat iu kthyen Turqisë pas bashkëpunimit të suksesshëm mes dy Ministrive të Kulturës.

“Ky është një shembull i shkëlqyeshëm i bashkëpunimit mes dy vendeve tona, kësaj radhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Ne i jemi mirënjohës Kroacisë për konfiskimin e suksesshëm dhe efikas të thesareve kulturore”, tha ambasadori Hizlan.

Përfaqësuesja e Ministrisë turke të Kulturës dhe Turizmit, Burcu Ozdemir tha se sekuestrimi ishte rezultat i bashkëpunimit bazuar në konventën e nënshkruar të UNESCO-s midis dy vendeve, e cila lejon kthimin e trashëgimisë kulturore të eksportuar ilegalisht.

“Sot autoritetet kroate kanë treguar edhe një herë se sa i rëndësishëm është zbatimi i kësaj konvente për të parandaluar tregtinë e paligjshme të trashëgimisë kulturore”, tha Ozdemir.

Hërvoje Vuliq, drejtori i Muzeut të Qytetit Vinkovci dhe arkeolog, rikujtoi se ky ishte konfiskimi i dytë i thesareve kulturore turke që arrin në Muzeun e Qytetit Vinkovci.

Bëhet fjalë për një koleksion monedhash që datojnë nga shekulli V para erës sonë deri në shekullin e 10 të erës sonë dhe objekte të tjera metalike me vlerë si unaza, figura më të vogla, ndër të cilat spikat relikti i bronzit bizantin në formë kryqi. U gjetën gjithashtu tetradrahma athinase shumë të vlefshme të shekullit VI dhe V para erës sonë.

Objektet janë vendosur përkohësisht në Muzeun e Qytetit në Vinkovc, ku është bërë katalogimi dhe përpunimi paraprak profesional.

Kategoritë
BotaLajme