Kryebashkiaku i Mariupolit: 5.000 njerëz janë vrarë në qytetin e rrethuar prej një muaji

Sipas vlerësimeve fillestare, rreth 5.000 njerëz, duke përfshirë 210 fëmijë, kanë vdekur në qytetin e rrethuar për vetëm një muaj, tha kryetari i bashkisë së Mariupolit, Vadim Boychenko.

Kryetari i qytetit Mariupol të Ukrainës, Vadim Boychenko, tha se në qytetin që ishte nën rrethim, për një muaj u vranë rreth 5000 njerëz, mes të cilëve 210 fëmijë, raporton Anadolu Agency (AA).

Administrata e qytetit Mariupol njoftoi se Boychenko mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët me video-lidhje, ku u diskutua për pasojat politike dhe ligjore të krimeve të kryera nga Rusia në Ukrainë.

Me këtë rast, Boychenko tha se forcat ruse tani pothuajse e kanë shkatërruar plotësisht Mariupolin, i cili ka qenë një simbol i zhvillimit të vendit në kohët e fundit.

Sipas tij, më shumë se 90 për qind e infrastrukturës së qytetit është shkatërruar. “Të paktën 40 për qind e kësaj nuk mund të shpëtohet më”, tha Boychenko.

Ai konsideron se vendet evropiane duhet t’i përgjigjen krimeve kundër popullit ukrainas.

“Sipas vlerësimeve fillestare, në Mariupol, i cili është nën rrethim, për vetëm një muaj kanë vdekur rreth 5.000 njerëz, përfshirë 210 fëmijë. Njësitë terroriste ruse sulmuan spitalin e fëmijëve me disa bomba të fuqishme. Ata shkatërruan një nga godinat e spitalit kryesor të qytetit. Godina e teatrit ku fshiheshin më shumë se 900 njerëz u bombardua. Këto janë vetëm disa nga shembujt se si popullsia civile në Mariupol po shkatërrohet”, tha Boychenko.

Në vijim janë aktivitete për nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat, kurse përfaqësues të forcave vendase theksojnë se kanë nevojë për pajisje shtesë për largimin e rrënojave.

Kategoritë
BotaLajme