Kryediplomati i Arabisë Saudite vizitë në Shqipëri

Kryeministri Rama dhe kryediplomati saudit pas takimit mbajtën një deklaratë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çështje të tjera.

Ministri i Punëve të Jashtme i Arabisë Saudite, princi Faisal Bin Farhan Al Saud, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ndërkohë është takuar me kryeministrin Edi Rama, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Rama dhe kryediplomati saudit pas takimit mbajtën një deklaratë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çështje të tjera.

Rama tha se ministri saudit viziton Shqipërinë për të rivënë kontaktet e drejtpërdrejta dhe për të rifilluar një proces bashkëpunimi të thelluar.

“Kjo vizitë është një shenjë e drejtpërdrejtë që gatishmëria dhe dëshira e miqve tanë sauditë për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë është e madhe. Së bashku e ndamë edhe kënaqësinë që numri i vizitorëve nga Arabia Saudite si turistë në Shqipëri ka pësuar një rritje të ndjeshme edhe falë vendosjes së linjave direkte me Lindjen e Mesme, por edhe falë nxitjes që princi i kurorës dhe qeveria saudite i ka bërë kësaj marrëdhënie. Ne jemi shumë shpresëplotë që kjo vizitë e parë është vetëm hapja e një kapitulli vizitash dhe takimesh bilaterale”, u shpreh Rama.

Rama tha se sot ai i ka ripërsëritur ministrit saudit ftesën për të pritur në Shqipëri princin e kurorës të Arabisë Saudite.

“Besoj që tanimë jemi në kushtet ku mund të shikojmë me optimizëm në zhvillimin e marrëdhënieve tona, mundësitë e investimeve, mundësitë e rritjes së volumit tregtar mes dy vendeve, mundësitë e bashkëpunimit ekonomik në tërësi”, tha më tej Rama.

“Mbretëria jonë e vlerëson shumë miqësinë me Shqipërinë”

Kryediplomati i Arabisë Saudite theksoi se dëshironin që sot të jepnin një sinjal shumë të qartë që janë shumë të angazhuar për marrëdhëniet me Shqipërinë.

“Mbretëria jonë e vlerëson shumë miqësinë me Shqipërinë, një miqësie e cila ka ecur për vite të tëra, por që është fuqizuar në fakt nga vizita e kryeministrit të Shqipërisë. Jemi shumë të kënaqur që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim dhe të eksplorojmë mundësitë për të ardhmen në fusha të ndryshme, në fushën politike, ekonomike, të zhvillimit dhe mjedisit. Ka shumë gjëra që mund të bëjë Mbretëria e Arabisë Saudite në Shqipëri”, tha Al Saud.

Ai theksoi se diskutuan edhe çështjet me interes të ndërsjellë në sferën politike, për zhvillimet e ndryshme në Lindjen e Mesme, për zhvillimet në rajon, por edhe në mbarë botën.

Në fund ai shtoi se Shqipëria dhe Mbretëria e Arabisë Saudite kanë një qasje të përbashkët sa i përket stabilitetit rajonal dhe sigurisë.

Kategoritë
LajmeRajoni