Kryediplomati i BE-së: Mbi 5 milionë refugjatë ukrainas mund të përfundojnë në Evropë

Ritmin dhe numrin e lartë të mbërritjeve Borrell e quajti “të paprecedent” që nga Lufta e Dytë Botërore, si dhe paralajmëroi se mbi “18 milionë njerëz mund të preken nga kriza në Ukrainë”

Shefi i politikës së jashtme i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka deklaruar se mbi 5 milionë refugjatë ukrainas mund të përfundojnë në vende evropiane duke u larguar nga lufta në vendin e tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sipas vlerësimeve të arsyeshme, mund të ketë mbi 5 milionë refugjatë që po mbërrijnë në Evropë”, tha Borrell në një konferencë për media pas një takimi joformal në Montpellier të Francës midis ministrave përgjegjës për zhvillimet.

Ritmin dhe numrin e lartë të mbërritjeve Borrell e quajti “të paprecedent” që nga Lufta e Dytë Botërore, si dhe paralajmëroi se mbi “18 milionë njerëz mund të preken nga kriza në Ukrainë”.

Ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Yves Le Drian, nga ana e tij, tha se “kjo nuk është e njëjta BE që ishte para dhjetë ditësh”.

Borrell tha se ministrat e BE-së diskutuan se si pagesa e parë prej 100 milionë eurosh e paketës humanitare prej gjithsej 500 milionë eurosh duhet t’i ndahet menjëherë Ukrainës dhe Moldavisë fqinje.

Ai po ashtu njoftoi se së fundmi ka realizuar një bisedë telefonike me ministrin kinez të Punëve të Jashtme, Wang Yi, për rolin e Pekinit në mbështetjen e negociatave midis Kievit dhe Moskës.

“Është e qartë se Kina mund të luajë rol, jo si ndërmjetës sepse Kina është shumë më afër Rusisë dhe ka njëfarë ndikimi mbi Rusinë”, pohoi Borrell.

Lufta që më 24 shkurt filloi kundër Ukrainës ka tërhequr një sërë sanksionesh ndaj Moskës dhe ka nxitur një eksod të kompanive globale nga Rusia.

Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 406 civilë janë vrarë dhe rreth 800 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (OKB) njofton mbi 1.7 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje.

Kategoritë
BotaLajme