Kryediplomati i BE-së realizon bisedë telefonike me presidentin rus

Michel i përcolli presidentit Putin konkluzionet e samitit të muajit të kaluar tëBE-së, ku blloku “dënoi aktivitetet ruse të paligjshme, provokuese dhe përçarëse kundër BE-së, vendeve anëtare të saj dhe të tjerëve”

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këshilli Evropian njoftoi se Michel, i cili kryeson takimin e liderëve të Bashkimit Evropian (BE), i përcolli presidentit Putin konkluzionet e samitit të muajit të kaluar të BE-së, ku blloku “dënoi aktivitetet ruse të paligjshme, provokuese dhe përçarëse kundër BE-së, vendeve anëtare të saj dhe të tjerëve”.

Michel po ashtu i shpjegoi presidentit rus se BE-ja mbështet “pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës” dhe i kujtoi Rusisë që të respektojë marrëveshjen e Minskut.

Dy liderët po ashtu folën për devijimin e detyruar të fluturimit ‘Ryanair’ në Minsk dhe mbylljen e hapësirës ajrore të BE-së për transportuesit bjellorusë si një hakmarrje ndaj incidentit.

Michel përsëriti qëndrimin e BE-së dhe u bërë thirrje autoriteteve bjelloruse të lirojnë të burgosurit politikë dhe të ndalojnë shtypjet. Ai i propozoi Rusisë të mbështesë dialogun kombëtar midis qeverisë bjelloruse dhe opozitës për një zgjidhje paqësore të krizës.

Michel dhe Putin po ashtu diskutuan situatën në Libi, konfliktin midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, si dhe pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe vaksinat kundër saj.

Kategoritë
BotaLajme