Kryeministri australian: Nuk jam penduar për anulimin e marrëveshjes së nëndetëseve me Francën

“Nuk jam i penduar nga vendimi ku interesat kombëtare të Australisë janë vendosur në vend të parë. Kurrë nuk pendohem”, theksoi Morrison.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, pas marrëveshjes së re të sigurisë që Australia nënshkroi me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe tha se nuk është i penduar për vendimin e tij për të anuluar marrëveshjen e nëndetëseve me Francën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në kryeqytetin Canberra, kryeministri Morrison bëri deklarata lidhur me vendimin që ka marrë Franca duke tërhequr ambasadorin e saj dhe reagimin e saj të ashpër pasi Australia anuloi projektin për ndërtimin e flotës së nëndetëseve që vendi i tij u dakordua në vitin 2016 me Grupin e Flotës Franceze.

“Nuk jam i penduar nga vendimi ku interesat kombëtare të Australisë janë vendosur në vend të parë. Kurrë nuk pendohem”, theksoi Morrison, i cili duke mbrojtur vendimin e tij për të anuluar marrëveshjen e bërë me Francën vuri në dukje se duhet të mbrohen interesat strategjike të Australisë.

Morrison u shpreh se janë zhgënjyer që Franca ka tërhequr ambasadorin e saj dhe se bashkë me këtë e kuptojnë edhe zhgënjimin që Franca ka përjetuar lidhur me anulimin e marrëveshjes. “Ne i kuptojmë ata dhe i respektojmë”, shtoi Morrison.

Ai tha se vendosën që t’i japin fund marrëveshjes pasi kuptuan që nëndetëset që do të ndërtoheshin me Francën nuk do të mund të kryenin kontributin që Australia ka nevojë në mbrojtjen e interesave të saj sovrane.

“Vendimi ishte në lidhje me këtë. Ishte në lidhje me mbrojtjen e interesave sovrane të Australisë. Dhe sigurisht ky ishte një zhgënjim i madh për qeverinë franceze, Grupin e Forcave Detare dhe për ata që punonin mbi këtë projekt. Për këtë arsye e kuptoj zhgënjimin e tyre. Por, në të njëjtën kohë Australia, ashtu sikurse çdo komb sovran duhet të marrë gjithmonë vendime të përshtatshme për interesat tona të mbrojtjes kombëtare”, shtoi Morrison.

“Franca u njoftua zyrtarisht”

Duke mbrojtur idenë e tij se janë të gabuara kritikat që Franca nuk është njoftuar më parë lidhur me anulimin e marrëveshjes, Morrison u shpreh se “Ishte një temë që ishte shprehur drejtpërdrejt nga unë disa muaj më parë dhe ne përfshirë ministrat e mbrojtjes dhe të tjerët vazhduam të bisedojmë mbi këto çështje. Më parë në marrëveshje kishte disa çështje dhe ne shumë herë debatuam përgjatë marrëveshjes që vazhduam”.

Morrison deklaroi se presidentin francez Emmanuel Macron e njoftuan zyrtarisht “një natë më parë”. Ai më tej tha se “I kishim theksuar në mënyrë të qartë se do të merrnim një vendim të bazuar mbi interesat tona kombëtare”.

Franca ka akuzuar për “tradhti” Australinë

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, ishte shprehur se Australia planet e saj lidhur me anulimin e marrëveshjes ia shpjegoi Parisit një orë përpara se kryeministri australian Scott Morrison të kryente më 16 shtator një deklaratë nëpërmjet internetit me presidentin amerikan Joe Biden dhe kryeministrin britanik Boris Johnson.

Duke e cilësuar marrëveshjen si “tradhti” dhe duke thënë se “u goditën pas shpine” ministri Le Drian, në një deklaratë në kanalin France 2 tha se “Në një aleancë të vërtetë bisedoni me njëri- tjetrin, nuk fshihen gjërat, respektoni palën tjetër dhe kjo është arsyeja pse është një krizë e vërtetë”.

Franca reagoi ashpër duke tërhequr për bisedime ambasadorin e saj nga në Canberra pasi Australia anuloi programin e dakorduar në vitin 2016 me kompaninë franceze ‘Naval Group’ për ndërtimin e nëndetëseve tradicionale me vlerë 90 miliardë dollarë australianë (rreth 66 miliardë dollarë amerikan) dhe pasi Australia deklaroi planin e saj për të ndërtuar të paktën 8 nëndetëse me energji bërthamore me teknologjinë e SHBA-së dhe Britanisë.

Kategoritë
BotaLajme