Kryeministri i parë që ofroi një rrogë për Ukrainën, i fton edhe të tjerët ta bëjnë

Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, ka nisur një fushatë publike për të mbledhur fonde në ndihmë të Ukrainës.

Petkov tashmë ka deponuar një rrogë të tij në llogarinë e hapur për këtë qëllim dhe ka ftuar edhe bullgarët tjerë të kontribuojnë ngjashëm.

“I lutem çdo qytetari bullgar që dëshiron vërtet ta ndihmojë Ukrainën të dhurojë një rrogë si unë. Fjalët janë të lehta, veprat janë të vështira, është koha që postimet në Facebook të bëhen fonde për Ukrainën”, ka shkruar Petkov në llogarinë e tij në Facebook.

Ndaj këtij veprimi ka reaguar ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i cili ka thënë se kjo dëshmon solidaritetin bullgar ndaj ukrainasve.

“Falënderues ndaj kryeministrit të Bullgarisë, Kiril Petkov, për inicimin e një kampanje publike, për të mbledhur para për Ukrainën dhe për të na ndihmuar që ta forcojmë mbrojtjen. Kjo lëvizje dëshmon solidaritetin e vërtetë bullgar me Ukrainën. E kam ndier këtë kur u takova javën e kaluar me Petkovin në Sofje”, ka shkruar Kuleba, postimin e të cilit e ka shpërndarë Petkovi.

Kategoritë
BotaLajme