Kryeministri italian: Turqia luan një rol shumë të rëndësishëm

“Turqia luan një rol shumë të rëndësishëm në nisjen e procesit negociues që do të rezultojë në paqe. Ajo mund ta bëjë këtë falë pozicionit të saj gjeostrategjik dhe marrëdhënieve me të gjitha vendet në konflikt”, tha Draghi

Kryeministri italian, Mario Draghi, ka deklaruar se Turqia po luan një rol të rëndësishëm në nisjen e procesit negociues që mund të sjellë paqe sa i përket luftës ruso-ukrainase, transmeton Anadolu Agency (AA).

Draghi foli në një konferencë për media të organizuar në Romë nga Shoqata e Mediave të Huaja, anëtare e së cilës është edhe AA.

Gazetari i AA-së pyeti kryeministrin Draghi se çfarë roli mund të luante Turqia midis palëve në luftën ruso-ukrainase.

“Turqia luan një rol shumë të rëndësishëm në nisjen e procesit negociues që do të rezultojë në paqe. Ajo mund ta bëjë këtë falë pozicionit të saj gjeostrategjik dhe marrëdhënieve me të gjitha vendet në konflikt. Të gjitha vendet këtu janë të gatshme të bashkëpunojnë me Turqinë në këtë drejtim”, tha Draghi.

I pyetur nëse kishte diskutuar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, mbi sistemin e mbrojtjes Samp-T të zhvilluar nga Eurosam gjatë takimit në Bruksel javën e kaluar, Draghi tha se përfaqësuesit e Francës, Italisë dhe Turqisë kishin diskutuar këtë çështje dhe marrëdhëniet tregtare në përgjithësi.

Ai nuk mundi të saktësojë se kur do të zhvillohet takimi i përfaqësuesve të tre vendeve.

“Mendoj se për momentin nuk është caktuar data e takimit. Po punohet se ku do të mbahet në javët në vijim. Marrëdhëniet me Turqinë në përgjithësi janë përmirësuar për shkak të disa aktiviteteve, por ka ende shumë për të bërë”, tha Draghi.

Kategoritë
BotaLajme