Kryeministri izraelit Bennett kërkon nga qytetarët të mbajnë armë me vete

Pas sulmeve të përsëritura në ditët e fundit Kryeministri izraelit Naftali Bennett u ka bërë thirrje civilëve izraelitë që kanë leje për armëmbajtje që të “mbajnë armë” me vete.

Naftali Bennett njoftoi një seri masash të reja sigurie në një videomesazh të publikuar mbrëmjen e kaluar pas sulmit në qytetin Beni Barak ku u vranë pesë izraelitë, njëri prej të cilëve ishte polic.

“Qytetarë të Izraelit, ne aktualisht po përjetojmë një valë të përgjakshme terrorizmi dhe, si në të gjitha valët e mëparshme, ne do të triumfojmë së bashku. Çfarë pritet nga ju si qytetarë të Izraelit? Të jeni vigjilentë dhe të përgjegjshëm. T’i hapni sytë. Kushdo që ka leje për të mbajtur armë, tani është koha ta mbajë atë”, tha ai.

Bennett argumentoi edhe vendimin për konfiskimin e armëve të arabëve izraelitë.

“Ne po përshpejtojmë gjithashtu mbledhjen e armëve të paligjshme nga komunitetin arab, i cili ka grumbulluar një sasi të jashtëzakonshme gjatë viteve. Tani është koha për ta pastruar këtë”, deklaroi kryeministri izraelit Bennett.

Javën e fundit ka pasur tre sulme të përgjakshme me armë zjarri në Izrael.

Kategoritë
BotaLajme