Kryeministri izraelit refuzoi të krahasojë luftën në Ukrainë me Holokaustin

“Personalisht besoj se nuk mund ta krahasoni Holokaustin me asgjë”, tha Bennett për të përditshmen izraelite “Yedioth Ahronoth”

Kryeministri izraelit Naftali Bennett refuzoi të krahasojë luftën aktuale në Ukrainë me atë që ndodhi me hebrenjtë në duart e regjimit nazist gjerman, i cili u bë i njohur si Holokausti.

“Personalisht besoj se nuk mund ta krahasoni Holokaustin me asgjë”, tha Bennett për të përditshmen izraelite “Yedioth Ahronoth”.

“Është një ngjarje unike në historinë e botës, vrasja industriale e një kombi në dhomat e gazit”, shtoi ai.

Gjatë fjalimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Knesset (parlamentin e Izraelit) të dielën, ai iu referua luftës ruse kundër vendit të tij si një “Holokaust”.

Ndërkohë, Bennett tha se megjithë arritjen e disa përparimeve midis Moskës dhe Kievit, mosmarrëveshjet janë ende të mëdha midis dy vendeve.

Bennett u zotua të vazhdojë përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës së vazhdueshme, ku tha se përpjekjet ndërmjetësuese të Izraelit po zhvillohen me koordinim të plotë me administratën amerikane dhe vendet evropiane.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 902 civilë janë vrarë dhe rreth 1.459 janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia nisi luftën e saj kundër fqinjit të saj perëndimor më 24 shkurt.

Kategoritë
BotaLajme