Kryeministri kroat bën thirrje për ruajtjen e integritetit të Bosnjë e Hercegovinës

“E gjithë ajo që duam është të shohim një Bosnjë e Hercegovinë që mbron integritetin dhe ku të gjithë popujt që jetojnë në vend kanë të drejta të barabarta”, tha Plenkoviç.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç deklaroi se në asnjë mënyrë nuk duan të shohin “tendencë separatiste” në Bosnjë e Hercegovinë dhe tha se “Duhet të mbrojmë integritetin dhe funksionalitetin e BeH-së”, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një vizite zyrtare në kryeqytetin e BeH, Sarajevë, Plenkoviç shprehu shqetësimin që ndjen nga zhvillimet të cilat kanë shkaktuar trazira kohët e fundit në vend.

I pritur nga Zoran Tegeltija, kreu i Këshillit të Ministrave të BeH-së, Plenkoviç duke iu referuar vendimeve të marra në Kuvendin e entitetit serb të BeH-së tha se “Duhet të mbrojmë integritetin dhe funksionalitetin e BeH-së”.

“Në Bosnjë e Hercegovinë kam ardhur si një mik. E gjithë ajo që duam është të shohim një Bosnjë e Hercegovinë që mbron integritetin dhe ku të gjithë popujt që jetojnë në vend kanë të drejta të barabarta”, theksoi Plenkoviç duke shtuar se Kroacia nuk dëshiron të shohë në asnjë mënyrë “tendencë separatiste” në rajon.

Pasi bëri të ditur se Kroacia respekton Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, Plenkoviç tha: “Respektojmë një Bosnjë e Hercegovinë e përbërë nga një vend i vetëm, dy entitete dhe 3 popuj themelues dhe ku të gjithë qytetarët jetojnë paqe”.

Në pyetjen lidhur me deklaratat e presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviç për Srebrenicën, Plenkoviç tha: “Qëndrimi i Kroacisë lidhur me gjenocidin e Srebrenicës është i qartë. Presidenti Milanoviç e ka theksuar se çfarë ka dashur të theksojë në këtë proces. Nëse shohim deklaratat e mëparshme të Milanoviç-it shohim se nuk ka dilemë për gjenocidin e Srebrenicës”.

Presidenti kroat Milanoviç kishte thënë se përjetimet në Srebrenicë janë gjenocid por që në histori janë përjetuar ngjarje edhe më të këqija se kjo dhe se këtyre ngjarjeve duhet t’i gjendet një emër i ri përveç gjenocidit.

Lideri kroat ka theksuar se “Gjenocidet ku kanë humbur jetën 8 mijë njerëz dhe 80 mijë njerëz nuk mund të jenë të njëjta. Nëse përjetimet në Srebrenicë i emërtojmë si gjenocid, atëherë për gjenocidin hebre duhet të gjejmë një emër të ri. Ato që janë përjetuar në Srebrenicë janë gjenocid, por në histori janë përjetuar ngjarje edhe më të këqija se këto. Për këto ngjarje duhet të gjendet një emër i ri përveç gjenocidit”.

Çdarë ndodhi në Srebrenicë ?

Pas pushtimit të Srebrenicës më 11 korrik të vitit 1995 nga njësitë serbe nën komandën e Ratko Mlladiçit, civilët boshnjakë që u strehuan tek ushtarët holandezë që shërbenin në kuadër të Kombeve të Bashkuara (OKB) iu dorëzuan serbëve.

Serbët të cilët lejuan kalimin e grave dhe fëmijëve në zonën nën kontrollin e ushtarëve boshnjakë, masakruan në pjesën e pyllit, në fabrika dhe depo të paktën 8.372 meshkuj boshnjakë të cilët u varrosën nëpër varreza masive.

Mijëra viktima të gjenocidit që janë varrosur në varre masive pas vrasjes nga forcat serbe në Srebrenicë, më pas janë transferuar në vende të tjera.

Edhe pse mbetjet mortore të nxjerra nga varret masive të hapura pas gjenocidit nuk janë të plota, mijëra familje varrosin disa nga eshtrat e të dashurve të tyre që kanë mundur të gjejnë.

Pavarësisht se kanë kaluar 26 vite, nuk janë gjetur ende mbetjet mortore të rreth 1.000 viktimave të gjenocidit.

Kategoritë
LajmeRajoni